Cakolli: LDK-ja partia më e votuar nga diaspora

Eugen Cakolli i KDI-së ka njoftuar se në mesin e dhjetë kandidatëve për kryetarë komune që kanë fituar më së shumti vota nga diaspora, gjysma e tyre janë kandidatë nga radhët e LDK-së.

Më së shumti vota sipas tij LDK-ja ka pasur edhe si vota të përgjithshme por edhe për kandidatë për kryetarë.

“Në mesin e dhjetë kandidatëve për kryetarë komune që kanë fituar më së shumti vota nga jashtë vendit, gjysma e tyre janë kandidatë nga radhët e LDK-së, që është partia më e votuar nga votimi jashtë Kosovës [si vota të përgjithshme të të gjithë kandidatëve për kryetarë].
Kandidatët për kryetarë me më së shumti vota nga jashtë vendit janë: 1. Ardian Shala (LDK) – 711 vota; 2. Ruzhdi Shehu (LDK) – 446 vota; 3. Bexhet Xheladini (LDK) -359 vota; 4. Agron Kuçi (AAK) – 332 vota; 5. Gazmend Muhaxheri (LDK) – 331 vota; 6. Bali Muharremaj (AAK) – 307 vota; 7. Bekim Azizi (PDK) – 289 vota; 8. Mimoza Kusari-Lila (LVV) – 289 vota; 9. Bashkim Ramosaj (AAK) – 235 vota; 10. Arben Vitia (LVV) – 231 vota; 11. Ilir Ferati (LDK) – 231 vota”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.

Kurse, LDK-ja përmes një postimi në Facebook ka falënderuar votuesit jashtë vendit.
“Mërgatë, faleminderit! LDK-ja, partia më e votuar nga mërgata. Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë votuar më së shumti nga mërgata jonë. LDK-ja ka marrë gjithsej 3164 vota. Falënderojmë mërgatën tonë anekënd botës për mbështetjen”, thuhet në postimin e tyre./21Media

Back to top button