Cakolli: Ndarja e 100 eurove për studentë, keqpërdorim elektoral i parasë publike

Për ndarjen e 100 eurove për studentë, tri ditë para procesit të balotazhit së zgjedhjeve lokale, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se është keqpërdorimi i parasë publike si instrument elektoral.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Cakolli thotë nëse qëllimi do të ishte mbështetja e studentëve, ajo ndihmë do të ishte dhënë më 15 shtator, atëherë kur edhe ka nisur viti akademik.
“Ndarja e 100 eurove për studentë pesë ditë para zgjedhjeve lokale, dhe ekzekutimi i këtyre mjeteve sot, tri ditë para balotazhit – është vijimësi e skemës së keqpërdorimit të parasë publike si instrument elektoral. Tek e fundit, viti akademik ka filluar më 15 shtator, gati dy muaj më parë. Nëse qëllimi do të ishte mbështetja e studentëve, ajo ndihmë do të ishte dhënë atëherë, jo tani. Edhe pse, për një qeveri në detyrë, s’do të ishte e ligjshme as atëherë. E ajo që e bën situatën edhe më problematike është normalizimi i shkeljeve të ligjit, nën arsyetimin se “është në të mirë të qytetarëve [studentëve, shërbyesve publik, kategorive sociale, a kujtdo tjetër]”. Kur shkeljet ligjore kalojnë pa reagim, ato shndërrohen në praktikë – dhe pastaj mbase nuk reagon më askush”, ka shkruar Cakolli./21Media