Cakolli: Ndarja e 100 eurove për studentët bie ndesh me ligjin

Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar vendimin e qeverisë në detyrë  për ndarjen e 100 eurove për studentët.

Ai tha  se vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh gjë që nënkupton se ka tejkaluar kufijtë e vendimmarrjes administrative.

“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral. Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”, shkroi Cakolli në Facebook.

Sipas tij një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët./21Media

Back to top button