Cakolli: Nëse Qeveria nuk formohet brenda 60 ditësh shkojmë në zgjedhje

(Lajm i përditësuar)
Cakolli: Nëse Qeveria nuk formohet brenda 60 ditësh shkojmë në zgjedhje
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në ”Click” të RTV21 ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do ta trajtojë çështjen e afatit 30-ditor.
Ai theksoi se ky afat nuk mund të trajtohet si këshillues, por si substancial dhe me pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë Kuvendin. Sipas tij, çdo tejkalim do të duhej të nënkuptonte shpërndarjen e mandatit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, ashtu siç parashihet për institucionet e tjera kur nuk arrijnë të formohen brenda afateve ligjore.
“Gjykata do të konstatojë një element jashtëzakonisht të rëndësishëm natyrën e afatit, që nënkupton se do të ketë pasoja kushtetuese për të gjithë deputetët. Sepse, nëse mandati do t’u merrej vetëm deputetëve të shumicës, atëherë logjikisht nënkuptohet se pas tre përpjekjeve prej nga 30 ditë, në këtë rast Vetëvendosje nuk do të kishte më deputetë në listë, pasi mandatet nuk mund të zëvendësohen. Unë besoj se Gjykata do të konstatojë se lejimi i konstituimit të Kuvendit pas afatit nënkupton që afati ka qenë vetëm këshillues, dhe jo substancial apo formal. Kjo do të binte ndesh me frymën e aktgjykimit të mëparshëm të Kushtetueses. Së dyti, unë besoj se Gjykata Kushtetuese do të konstatojë që kur institucionet, të cilat janë pjesë e sistemit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, nuk i përmbushin detyrimet e tyre për themelim brenda afatit të përcaktuar, atëherë pasoja duhet të jetë shuarja e mandatit të atij institucioni në tërësi. Dhe nuk ka asnjë arsye që Kuvendi të jetë përjashtim. Presidenti, nëse nuk zgjidhet brenda 60 ditësh, shkojmë në zgjedhje. Qeveria, nëse nuk formohet brenda 60 ditësh, shkojmë në zgjedhje. Nuk ka asnjë kuptim të ekzistojë një afat prej 30 ditësh për Kuvendin dhe të mos shkojmë në zgjedhje. Besoj që Gjykata do të qëndrojë në funksion të frymës kushtetuese,” tha Eugen Cakolli.
Cakolli: Me kërkesën për masë të përkohshme, Presidentja paragjykoi Kuvendin
Vendimi i Presidentes, Vjosa Osmani për të kërkuar masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ka nxitur reagime në skenën politike. Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në ”Click” të RTV21 ka thënë se ky veprim, ështè një lloj paragjykimi i pajustifikuar juridikisht ndaj procesit parlamentar.
Ai thekson se Kuvendi ka ende kohë ligjore për të arritur marrëveshje për konstituimin e institucioneve deri në momentin e fundit të afatit kushtetues.
“Me kërkesën e saj për masë të përkohshme, Presidentja po paragjykon se Kuvendi nuk do të arrijë ta përmbushë detyrimin e vet. Unë besoj se kjo është një supozim i pabazuar juridikisht, sepse deputetët kanë kohë deri në minutën e fundit të së shtunës për të arritur një marrëveshje,” tha Eugen Cakolli.
Cakolli: Deputetët nuk meritojnë afat shtesë, qytetarët nuk ua kanë borxh
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në ”Click” të RTV21 ka thënë se një masë e shtesë nuk duhet të kthehet në “komoditet politik” për partitë, por të shërbejë si moment reflektimi dhe përgjegjësie.
Cakolli tutje ka shtuar se deputetët nuk meritojnë afat shtesë sepse sipas tij, qytetarët nuk ua kanë borxh.
“Nëse nesër vendoset masa e përkohshme, partive politike u blihet një hapësirë komoditeti — ndoshta edhe për pushime. Kjo nuk është në interes të qytetarëve. Deputetët nuk e meritojnë një afat shtesë, dhe qytetarët nuk ua kanë borxh një të tillë. Ata kanë pasur 30 ditë në dispozicion, dhe askush nuk ka folur për zgjedhje gjatë kësaj kohe. Tani, duhet të flitet për atë se çfarë ndodh më pas,” tha Eugen Cakolli.
Cakolli: Në 51 seanca, deputetët punuan më pak se dy orë
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në ”Click” të RTV21 ka kritikuar angazhimin e deputetëve në 51 seanca për konstituimin e Kuvendit. Ai madje tha se pas përfundimit të afatit përfundimtar të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e institucioneve, deputetët do të pushojnë.
“Deputetët nuk janë lodhur me punë gjatë këtyre 51 seancave, sepse në total kanë punuar më pak se dy orë,” tha Cakolli.
Cakolli: Pas afatit përfundimtar, asnjë mbledhje e Kuvendit nuk ka vlefshmëri
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në ”Click” të RTV21 ka treguar se çfarë pritet të ndodh pas afatit të fundit kushtetues për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Cakolli ka ngritur shqetësime serioze për legjitimitetin e mëtejshëm të Kuvendit nëse nuk arrihet të krijohet një qeveri funksionale brenda afatit të parashikuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Pas seancës së të premtes – ose kurdo që të mbahet ajo si seanca e fundit – Kuvendi nuk do të ketë më as legjitimitet dhe as bazë kushtetuese për t’u mbledhur sërish. Çështja do të jetë nëse Kuvendi do të konsiderohet jo-kushtetues me këtë përbërje, dhe nëse do të shpallen zgjedhjet, apo nëse Gjykata Kushtetuese do të refuzojë ta këshillojë Presidenten se si të veprojë për shpalljen e tyre,” tha Cakolli.
Cakolli për Avni Deharin: Sjellja e tij sot ishte shkelja më e rëndë
Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli në “Click” të RTV21 foli për ngjarjet e që ndodhën sot gjatë seancës parlamentare.
Cakolli u fokusua veçanërisht në sjelljen e deputetit Avni Dehari, të cilën e cilësoi si shqetësuese dhe të papranueshme për një përfaqësues të popullit në një institucion demokratik.
Ai theksoi se “problemi më i madh në seancën e sotme ishte menaxhimi i nervozës së Avni Deharit” dhe shtoi se “ajo që ka bërë sot Dehari përbën shkeljen më të rëndë”.
”Problemi më i madh në seancën e sotme ishte menaxhimi i nervozës së Avni Deharit, ajo se çfarë ka bërë sot Dehari është shkelja më e rëndë ”, tha Cakolli.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?