Cakolli: Si shoqëri civile para Kuvendit kësaj here sigurimi na ndaloi hyrjen

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës pas dështimit të 22-të ka thënë se sigurimi i Kuvendit së bashku me disa kolegë të tij i kanë ndaluar hyrjen në Kuvend për monitorimin e seancës.
Ai ka thënë se në hyrje u është thënë se nevojitet kërkesë e re me shkrim.
“Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit.Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat”, deklaroi ai.
Cakolli tutje e ka akuzuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për tejkalim të kompetencave, pasi nuk ka mandat për kufizim të pranisë së shoqërisë civile.
Nga komunikimi me administratën e Kuvendit, na u bë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari. Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend”, theksoi ai. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?