Caktohet masa e paraburgimit ndaj 3 personave që iu gjet një thes me substancë narkotike

Gjykata Themelore në Gjakovë sot ka informuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji tre të pandehurve A.F., K.N. dhe L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të blerjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
“Sipas kërkesës, “me datën 2 tetor 2022 rreth orës 13:30, në piken kufitare “Qafë Prush”, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë poseduar substancë apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë. Në bazë të një kontrolle gjatë kalimit kufitar nga Shqipëria për në Kosovë, në bagazhin e automjetit të tyre është gjetur një thes i mbushur me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit Marihuanë, me peshë 3.452 gr.”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurve ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Gjykata ka informuar se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Back to top button