Caktohet paraburgim për tre të dyshuarit për vrasjet në Gllogjan

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M,për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar.
Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të veprës penale, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njëjtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar ose të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me këtë të pamundësojnë zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, por gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, sot ka përfunduar seanca ndaj tre personave të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur ditë më parë në Gllogjan.
Gjatë seancës dëgjimore, e cila nisi nga ora 16:00, u panë forca të shtuara të Njësisë Speciale para Gjykatës Themelore në Pejë.
Policia e Kosovës arrestoi dje tre persona si të dyshuar për vrasjen e trefishtë më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit. Pas sulmit që iu bë një autobusi, i cili udhëtonte nga Gjakova drejt Gllogjanit, u vranë ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Back to top button