Çeku: Kam pranuar mesazhe kërcënuese nga Serbia pasi u ankuam në FIFA

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se ditëve të fundit po pranon mesazhe ofenduese dhe kërcënuese nga Serbia, pasi ka njoftuar opinionin botëror për provokimin e përfaqësueses së Serbisë në Botërorin 2022 në Katar.

“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.
Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Kujtojmë se, FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Serbisë për flamurin që ishte paraqitur në zhveshtore të Përfaqësueses së Serbisë. Në zhveshtore para ndeshjes me Brazilin ishte paraqitur një hartë e Kosovës e sipër saj flamuri i Serbisë dhe në të kishte fjalët “nuk ka dorëzim”./21Media
Back to top button