Çfarë po bëhet për problemin me qentë endacakë, flasin për RTV21 nga Komuna

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet me të cilin po përballet Prishtina, por edhe komunat e tjera në Kosovë. Por, çfarë po bën Prishtina lidhur me këtë problem, për portalin rtv21.tv ka treguar Këshilltari për Siguri në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj.
Gecaj në një përgjigje me shkrim për rtv21.tv ka paraqitur planin dhe strategjinë se si do ta menaxhojnë problemin me qentë në rrugët e kryeqytetit. Ai duke u përgjigjur në pyetjen se cila është zgjidhja e Prishtinës për qentë endacakë, është përgjigjur se zgjidhja është që atë që po e bën Kryeqyteti ta bëjnë edhe komunat tjera dhe niveli qendror.
Megjithëse, Komuna e Prishtinës nuk kanë informata se sa është numri i qenve endacakë në kryeqytet. “Nuk ka informata të mbledhura deri më tani nga askush mbi numrin e qenve në Prishtinë dhe as në Kosovë”, ka thënë Gecaj për rtv21.tv.
Komuna ka treguar se është hartuar një strategjinë kornizë 10-pikëshe për trajtimin e qenve endacakë, përkrahur nga të gjithë akterët, brenda dhe jashtë komunës, e të cilën sipas zyrtarëve komunalë tani po zbatohet.
Strategjia dhjetë-pikëshe:
1. Identifikimi dhe regjistrimi i qenve me vathë dhe micropçipa;
2. Subvencionimi i vazhdueshëm për kastrim, sterilizim e vaksinim të qenve me pronarë;
3. Kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe i shitjes së qenve;
4. Kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho);
5. Qendrat për Trajtim të Përkohshëm (QTP) dhe Qendrat e Shpëtimit;
6. Prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’;
7. Kontrolli i qasjes në resurse – ushqimi i qenve;
8. Fushatë për vetëdijesimin e shoqërisë;
9. Strehimorja (për socializim dhe rekreacion);
10. Inspektor komunal për veterinari;
Gecaj ka thënë se janë ndërmarrë 14 hapa në këtë drejtim.
Këshilltari për Siguri në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj për rtv21.tv ka përmendur marrëveshjen e nënshkruar në fillim te vitit me operatorë të jashtëm ekonomik për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar. Gecaj, ka premtuar se në të ardhmen nuk do të ketë kufizime në numra, por do të trajtohen të gjithë qentë, pa marrë parasysh numrin e tyre.
“Jemi afër përfundimit të procesit të tenderimit të 7 lloteve (350 mije euro) për trajtimin e qenve endacakë; pra, tani e tutje do të trajtohen të gjithë qentë endacakë, jo vetëm numri i kufizuar”, ka thënë Gecaj.
Si pikë e radhës se çfarë ka bërë komuna e Prishtinës për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë sipas Gecajt ishte edhe nënshkrimi i vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në çështjen e qenve endacakë, në mënyrë që të na mundësoi që në raste të caktuara dhe emergjente të mund të veprojnë shpejtë.
“Kemi ngritur pikat ushqyese nga 5 në 23 pika, të cilat janë vendosur kryesisht në pikat me koncentrim më të madh të qenve endacakë dhe në rrugët hyrëse në kryeqytet; Është formuar TASK-FORCA e brendshme komunale për trajtimin e qenve endacakë; Kemi themeluar GRUPIN PUNUES me akterë nga jashtëm, siç janë MAPL, MBPZHR, AKK, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile, etj”, ka thënë ai.
Tutje, Gecaj për rtv21.tv ka thënë se janë në proces të dizajnimit të mënyrës së monitorimit të të gjithë veprimtarisë së tyre në këtë çështje nga ana e sektorit jo-qeveritarë, përfshirë nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit.
Ndërsa, sa i përket ndërtimit të qendrës për trajtimin e qenve enacakë, Gecaj ka thënë se ende janë në proces të tenderimit duke e fajësuar qeverisjen e kaluar.
Komuna ka përcaktuar dy lokacione, njëra për qendër të trajtimit, e tjetra për strehimore.
“Është në proces të tenderimit ndërtimi i qendrës për trajtimin e qenve, e filluar por e parealizuar nga qeverisja e kaluar, për shkak të problemeve teknike; Kuvendi Komunal tanimë ka aprovuar fillimin e procedurave për një qendër gjithëpërfshirëse rajonale dhe të përhershme për trajtimin e qenve, si atyre endacakë, ashtu edhe atyre me pronarë; Jemi në dispozicion për të bashkëpunuar ngushtë me nivelin qendrorë, si dhe konsulentët nga BE, për hartimin e strategjisë komunale dhe kombëtare, si dhe ndryshimin e nevojshëm të rregullativës – na është thënë nga MAPL se priten rezultate në fund të qershorit”, ka thënë Këshilltari për Siguri në Komunën e Prishtinës.
Ndërkohë, Gecaj ka theksuar se Komuna e Prishtinës është në fazën e konsultimeve me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) në lidhje me fillimin e shpejtë të procesit të regjistrimit të qenve me pronarë./21Media

Back to top button