Kuvendi s’ka kuorum për të votuar tërheqjen e parave nga Trusti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të hedh në votim shqyrtimin e parë të projektligjit përmes të cilit synohet të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i njohur si Trusti.
Votimi për këtë projektligj ishte vendosur në rend dite në seancën e 22 qershorit mirëpo për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, seanca plenare u shty për të nesërmen.
Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovës të tërheqin mjete të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.
Propozimin lidhur me këtë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Ajo u përkrah edhe nga subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Back to top button