Çfarë u diskutua në takimin e Abdixhikut me Tusk?
Vizitën në Kongresin e EPP-së (Partive Popullore Evropiane) që mbahet sot dhe nesër në Roterdam, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e nisi me pritjen e presidentit Donald Tusk.
“Me Presidentin Tusk, një përkrahës i vazhdueshëm i aspiratave shtetërore të Kosovës, biseduam për zhvillimet politike në vend, proceset e LDK-së, si dhe domosdoshmërinë e ecjes së Kosovës drejt familjes euro-atlantike. Presidentin Tusk e falënderova për kontributin e tij të deritanishëm; dhe njëkohësisht i kërkova vëmendjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe zhvillimeve në rajon”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai bëri të ditur se ka kërkuar që Partia Popullore Evropiane, grupacioni më i madh politik në BE, të mbështesë pa rezervë dhe ndihmojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës./21Media
