Çfarë u diskutua në takimin e Haxhiut me Hysenin?

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka pritur në takim ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Hyseni ka njoftuar se në takim janë diskutuar një varg çështjes, me theks te veçantë dhuna në familje.
“Çështje kryesore e diskutimit ishte dhuna në familje, e kemi njoftuar ministren për veprimet që ka ndërmarrë Komuna, për përkrahjen që e jep për të gjitha ato gra, nëna e vajza, të cilat ballafaqohen me dhunën në familje. Kemi marrë po ashtu disa rekomandime për veprime të reja që duhet t’i ndërmarrim”, ka thënë Hyseni.
Nga ana e saj, Haxhiu e ka përgëzuar Hysenin për punën dhe angazhimin.
Ajo ka theksuar se janë dakorduar edhe për aspektet se “si do të mbështeten strehimoret nga Komuna e Gjilanit, se si do të krijohet një fond i veçantë përmes Ligjit kundër dhunës në familje, sikurse edhe për Qendrën për Punë Sociale, mekanizmat si policia, prokuroria dhe gjykatat, të cilat duhet t’i kryejnë detyrat në raport me rastet e dhunës në familje”.
“Në këtë takim diskutuam aspekte të ndryshme, sidomos brengat që kanë qytetarët të cilat i shfaqin në takimet që kryetari dhe stafi i tij zhvillojnë me ta, e që lidhet edhe me sistemin e drejtësisë. Adresuam një prej problemeve të mëdha që e ka vendi ynë e që lidhet drejtpërdrejtë me dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore. Më vjen mirë për të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë kryetari i Komunës gjatës kësaj periudhe të shkurtër. Janë hapa të duhur dhe është një shenjë pozitive që Komuna e Gjilanit do të jetë ndër komunat që do të funksionojë më së miri”, ka thënë Haxhiu.
Hyseni dhe Haxhiu kanë vizituar disa nga institucionet dhe mekanizmat që trajtojnë dhunën në familje, përkatësisht strehimoren e grave “Liria”, Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë e Kosovës./21Media​

Back to top button