Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me mbasadorët e vendeve të QUINT-it?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që ta mbajnë përgjegjëse Serbinë për shkeljet që po ua bën marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit.

”Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, takoi ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Në takim u diskutua për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga zyra e kryeministrisë.

Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë.

Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes.

Procesi i dialogut do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve që pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit.​/21Media

Back to top button