Chollet pas takimit me Kurtin: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, çelësi për të ardhmen e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti është takuar me Këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Chollet përmes një postimi në ”Twitter”, ka theksuar se çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës është përparimi në dialogun Kosovë-Serbi.
“Më vjen mirë qe e takova dje kryeministrin e Kosovës Kurti për të diskutuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë përparimin në Dialogun Kosovë-Serbi, çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës. E falënderova atë për pritjen e afganëve dhe ritheksova përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” ka shkruar Chollet.
Gjithashtu Chollet është takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani teksa ka thënë se kanë diskutuar për partneritetin e qëndrueshëm dhe përkushtimin e fortë të SHBA-së.
”U takuam sot me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe diskutuam për partneritetin tonë të qëndrueshëm dhe përkushtimin e fortë të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike, mbështetjen e Kosovës për afganët dhe Ukrainën”, ka shkruar Chollet./21Media