Cilat projekte kanë filluar në komunën e Vitisë, flet për RTV21 Sokol Haliti

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në një intervistë për portalin rtv21.tv ka shpalosur prioritetet dhe projektet që kanë filluar të jetësohen në këtë mandat.
Projekti i parë që është inicuar në komunën e Vitisë është “Efiqienca në energji” dhe sipas kryetarit ky projekt është shumë i rëndësishëm për komunën dhe qytetarët.
“Projekti i parë që është iniciuar e që është shumë i rëndësishëm për komunën e Vitisë dhe qytetarët e saj është “Efiqienca në energji”, me fondet e “Mijëvjeçarit të Shekullit”, të dhuruar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MMC Amerikane)”, ka thënë Haliti duke shtuar se projekt tjetër me rëndësi të veçantë për Vitinë, është ndërtimi i një çerdhe të re të qytetit, e cila sipas tij krijon hapësirë më të madhe për punësimin kryesisht të femrave, palestra sportive e cila sipas kryetarit do të përfundojë së shpejti.
“Janë iniciuar dhe përfunduar edhe dy projekte të rëndësishme, njëra është njësia përpunuese në Sllatinë dhe tjetra në fshatin Ramjan. Më gëzon fakti se këto dy biznese, udhëhiqen nga gra shumë të suksesshme”, ka thëksuar ai.
Por, cili është projekti më i madh në kuadër të komunës që do të jetësohet në këtë mandat, Haliti ka veçuar funksionalizimin e Zonës Ekonomike.
“Komuna e Vitisë, ka realizuar shumë projekte të mëdha gjatë mandateve të kaluara po natyrisht me plane e projekte shumë të mëdha do të vazhdojmë edhe këtë mandat. Por, si projekt që po e veçoj është funksionalizimi i Zonës Ekonomike, për të cilën ka interesim të madh”, është përgjigjur i pari i Vitisë.
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Viti diçka që kjo komunë nuk e ka pasur asnjëherë, Haliti është përgjigjur se e ka në plan t’i bëjë disa invesitme.
“Vitia ka shumë gjëra që i ka tani e që nuk i ka pasur as para 8 viteve. Vitia ka qenë pa Muze, por tani është me Muze. Investimi im i ardhshëm do të jetë ndërtimi i sallës së Teatrit të qytetit, por do të investojmë edhe më tutje në ekoturizëm, krijimin e zonave gjelbëruese dhe do ta përfundojmë parkun industrial te Zona Ekonomike”, ka thënë ai.
Buxheti i komunës së Vitisë është mbi 13 milionë euro. Sipas kryetarit të kësaj Komune, Sokol Halitit kjo shumë nuk mjafton, por ai i mbanë shpresat diku tjetër.
“Besoj fuqishëm që përmes ministrive, organizatave të huaja vendore e ndërkombëtare do të gjejmë mbështetje të pakontestueshme në realizimin e planeve tona investive që janë në infrastrukture rrugore, bujqësi, stadiume e fusha sportive, hapësira gjelbëruese etj”, ka thënë Haliti për portalin rtv21.tv.
Aktualisht komuna e Vitisë ka 965 raste sociale. Haliti për rtv21.tv ka thënë se në bashkëpunim me organizata të ndryshme po iu dalin në ndihmë këtyre familjeve.
“Komuna e Vitisë, vazhdimisht ka tentuar dhe ka realizuar projekte me organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për inkuadrimin e kësaj kategorie në punësim, qoftë afatshkurtër apo afatgjatë. Vlen të përmendet se bashkëpunim të mirë në këtë aspekt kemi pasur me fondacionin Kosovë – Luxembourg dhe me kompaninë rajonale “ECO-Higjiena””, ka shtuar Haliti.
Sa i përket fushës së shëndetësisë, kryetari i Vitisë ka thënë se gjatë këtij mandati do të fokusohet në rritjen e kualitetit të shërbimeve për qytetarët.
“Prioritetet dhe projektet kryesore në fushën e shëndetësisë në katër vitet e ardhshme, do të fokusohen në rritjen e kualitetit të shërbimeve për qytetarë, përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, rritja e mbështetjes për rastet sociale dhe organizimi i fushatave vetëdijësuese për sëmundjet e ndryshme, dukuritë devijonte etj”, ka thënë Haliti.
Sokol Haliti nga LDK-ja ka shënuar fitore në garën e balotazhit në vitin 2021, duke e mposhtur Arsim Ademin e VV-së/21Media

Back to top button