Çitaku e konsideron grackë të rrezikshme hapjen e arkivave me Serbinë

Pas deklarimeve të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se në dialogun me Serbinë është gjetur pajtimi që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë ato për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar  nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.Çitaku këtë gjë po e konsideron si grackë të rrezikshme.
“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!! Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Pas deklarimeve të Bislimit ka reaguar edhe Përfaqësues i Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i cili ka thënë se arkivat e UÇK-së kanë qenë gjithmonë të hapura./21Media
Back to top button