Çitaku fajëson VV-në për mungesën e deputetëve në seancat parlamentare

Për mungesën e deputetëve në seancat e Kuvendit, nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku fajëson partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas saj kjo parti e cila ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

„Papërgjegjësi e skajshme. Puna e parë dhe kryesore e deputetëve është miratimi dhe inicimi i nismave ligjore. Jo hajt pak. Jo deklarimet jashtë rendit të ditës. Jo shoë.
Është vend pune. Është kontratë me qytetarin.“, shkroi Çitaku në Facebook.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës.

Konjufca, ka thënë se legjislatura aktuale nuk e meriton të vazhdojë, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve./21Media

Back to top button