Haziri për LVV-në: Morën vota në emër të Osmanit, ia premtuan mandatin e dytë por nuk ia dhanë

Është duke u biseduar për rikthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thotë nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Haziri në një intervistë për KosovaPress thotë se Osmani në këtë fazë është e fokusuar në dëgjimin e qytetarëve dhe në vlerësimin e kërkesave të tyre, duke lënë të kuptohet se çdo vendim i mundshëm për të ardhmen politike do të vijë më vonë.

Ai shton se nëse do të kishte bisedime të drejtpërdrejta me LDK-në, ato do të ishin bërë publike.

“Është duke u biseduar me Vjosa Osmanin, por qëndrimi i saj është tash publik. Ajo është duke u biseduar me qytetarët e Kosovës, nuk është duke u biseduar me subjekte politike. Jo edhe njëherë po ta theksoj, kjo është e vërtetë. Çka shihni ju, çka vlerësoni, problem krejt i juaji. Vjosa Osmani nuk është duke u biseduar me parti politike, Vjosa Osmani është duke u biseduar me qytetarët e Kosovës. E kjo është vullneti i saj. Po nuk ka rëndësi fare ajo punë, s’ka. Se ajo më afër ka qenë me njerëzit e LDK-së, nuk ka qenë me njerëzit e PDK-së. Punë, politika anti-PDK atë e ka lansuar në politikë. Ajo me njerëz, me ish-njerëzit e LDK-së ka me u taku. Edhe ata njerëz, 100,000 vota të LDK-së kanë qenë kur kanë votuar për Vetëvendosjen, që janë bartur. Janë zhvendosur… Duhet me pyet Vjosa Osmanin çka po thonë qytetarët? Cila është kërkesa e qytetarëve? Nuk është duke u biseduar, se me LDK-në me pas biseduar dhe me pas shtjerrë krejt bisedën, ne ta kishim treguar edhe muhabetin. Me vetë faktin që ajo ka kërkuar me fol në këtë fazë me qytetarët dhe është duke fol me qytetarët”, thotë ai.

Duke folur për qëndrimin e tij, Haziri tha se gjatë gjithë karrierës ka qenë i hapur për bashkëpunime dhe rikthime në parti, përfshirë edhe figura të ndryshme politike. Ai theksoi se LDK tashmë ka kaluar fazat e përçarjeve dhe është e gatshme për sfida të reja politike.

“Në krejt karrierën time politike, unë kam qenë bashkëpunues, pragmatik, edhe kam hapur mundësi në çdo gjeneratë dhe në çdo kohë për me ardhë në LDK, që përfshin edhe Vjosa Osmanin, edhe Lumir Abdixhikun, edhe Abdullah Hotin, edhe Hykmete Bajramin, edhe qindra emra që kanë ardhë në LDK, kanë mbetur në LDK, ka dhe të atillë që kanë dalë prej LDK-së. Po unë kam qenë aty kur kanë ardhë ata, unë i kam gjetur aty edhe kur të shkojnë, kanë me më lënë aty. Pse duhet me më paragjykuar? LDK-ja i ka kaluar pjekurinë politike të fragmentizimit, përçarjes, edhe të problemeve që çdo parti politike në tranzicion i kalon. Ne i kemi kaluar, mendoj që politikisht jemi të pjekur me përballuar situata politike që nuk janë të lehta”, shton Haziri.

Ai kritikon edhe LVV-së, sipas tij që nuk e propozuan për një mandat të dytë Osmanin për presidente, megjithëse siç thotë ai kanë marrë vota masivisht në emër të saj në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Unë nuk besoj pse duhet Vjosa Osmani në këtë rast me u përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila nuk ia ka mbajtur fjalën. Vjosa Osmani ka hyrë më 28 dhjetor në zgjedhje si mundësi që me pas mandatin e dytë të presidentes nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Së paku ajo këtë e ka dëshmuar, e ka deklaruar. Numrat i ka pas Vetëvendosje, duhet me i dhënë numrat. E mandej LDK-ja kishte bërë marrëveshje vetëm me Vjosa Osmanin, sikur herën e kaluar. Ne nuk kemi bërë marrëveshje me Albin Kurtin për Vjosa Osmanin në vitin 2021. Ne kemi bërë marrëveshje me Vjosa Osmanin dhe ia kemi dhënë votat dhe e kemi mbajtur fjalën… Jo me mbledh vota më 28 dhjetor në emër të Vjosa Osmanit. Kanë mbledhur? Kanë mbledhur në mënyrë masive. Ç’më mbledh është përmend, është përmend në shumë raste, në qindra raste që unë i kam përcjellë dhe e kam parë që u kanë lyp vota edhe për kabinetin Kurti 3 edhe për presidentin e vendit. Kanë lyp vota, kjo është e vërtetë”, deklaron ai.

Sa i përket zhvillimeve të brendshme në LDK, Haziri tha se ndërtimi i kryesisë së re është përgjegjësi e kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili ka marrë mandatin nga Kuvendi i partisë për të udhëhequr në këtë fazë politike.

“Jo, nuk ka të bëjë me mua në mënyrë absolute. Natyrisht që konsultohem për çështjet e LDK-së edhe për çështje të proceseve të ndryshme, por ky është mandat që Kuvendi i LDK-së më 31 mars ia ka bartur Lumir Abdixhikut pas votës së mosbesimit. Ky është mandat i deleguar dhe është çështje e kryetarit të LDK-së… Arben Gashi është vlerë në LDK. Kredibiliteti i tij, roli dhe angazhimi i tij i kanë dhënë LDK-së kontribut dhe dije. Është çështje, duhet me kuptuar të gjithë, është çështje e vlerësimit të kryetarit të LDK-së në këtë fazë politike për këtë ekip të tij. Është ekipi i Lumir Abdixhikut, i cili ka ardhur sipas vendimit të Kuvendit më 31 mars. Tash ka disa çështje, norma, natyrisht statutare, të cilat ne i kemi, Këshillin e Përgjithshëm si organ ku duhet me kalu. Kuvendi ia ka deleguar kryetarit të LDK-së. Kur ia ka dhënë votën e besimit, ia ka deleguar sepse ka qenë një deklaratë politike e miratuar në të cilën ka pas kërkesa dhe është mbështetëse e tillë… Tash, me pas qenë unë, ose dikush tjetër, ose Abdullah Hoti, ose Hykmete Bajrami, ose Kujtim Shala, do të kishte ndërtuar listë për të cilën beson që është më e mira me hy në luftë politike, luftëra të mëdha politike në të cilat ne po kalojmë. Secili mandatin e vet e përkthen edhe në emra të përveçëm këtë kryesi dhe nuk duhet me pas kurrgjë tjetër përveç angazhimeve konkrete që kjo fazë me kalu”, përfundon ai.

Back to top button