Çitaku: Neveritëse dhe të papranueshme sulmet denigruese kundër Saranda Bogujevcit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, i ka quajtur neveritëse dhe të papranueshme sulmet denigruese kundër nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcit.
Çitaku ka thënë se rrjetet sociale po shpërfaqin brutalisht se sa shumë mllef është mbjellur në shoqëri.
“Neveritëse dhe të papranueshme sulmet denigruese kundër Saranda Bogujevcit. Rrjetet sociale po shpërfaqin brutalisht se sa shumë mllef është mbjellur në këtë shoqëri. Me lehtësi të padurueshme shajmë, fyejmë, mallkojmë tjetrin, vetëm pse mendon ndryshe. Keq”, ka shkruar Çitaku.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci sot në Kuvend ka reaguar kundër mendimit të bashkëpartiakut të saj, Eman Rrahmani i cili u shpreh se Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor cenon familjen.
Nënkryetarja e Kuvendit u shpreh se ky ligj është i rëndësishëm.
“…Në aspektin… kur i rregullojmë gjërat në shoqërinë tonë, sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinuar ne si gra qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë, diçka që nuk parashihet me pjesën e burrave. Unë po dua të jem e sinqertë dhe ta them edhe publikisht këtë pjesë, që unë, përderisa nuk e kam pasur mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë të bëhem nënë edhe unë duhet të jem e limituar në bazë të asaj që e the [këtu i referohet deputetit Eman Rrahmani, shën.red.] vetëm pse një shoqëri mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktuar. Edhe përderisa unë kam dashtë të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca të ma mundësojë atë të drejtë e jo të ma determinojë një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për të pasur mundësi të bëhem nënë”, ka thënë Bogujevci.
 

Back to top button