Çitaku reagon për fotografitë me McGonigal: Eksponentë të VV-së po duan të shpërndajnë mjegull

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kërkuar sqarime nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, lidhur me takimin e saj me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili në janar është arrestuar në SHBA, nën dyshimet se kishte punuar me një oligark rus të sanksionuar pasi ai doli në pension dhe se ka fshehur qindra mijëra dollarë që mori nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare.
“Të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për ‘rastin Mcgonigal’, ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, dhe lidhjen që kishte me politikanët shqiptarë, por edhe me oligarkë rusë. Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike. “Një juri e madhe federale e SHBA po heton nëse ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal ka marrë pagesa ose dhurata nga zyrtarë qeveritarë në Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Kosovë”, thuhet në artikullin e BallkanInsight”,  ka shkruar Abrashi në Facebook.
Ai kërkoi nga Çitaku që të tregojë “për lidhjet dhe takimet me këtë person”.
“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, ka shkruar Abrashi.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është kundërpërgjigjur duke e quajtur “përpjekje qesharake të ekspontëve të VV-së për të shpërndarë mjegull”.

“Një përpjekje qesharake e ekspontëve të VV-së për të shpërndarë mjegull. Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc. Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës. E tash, si e keni Martinin?”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Back to top button