Çitaku: Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.
Ajo tha se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.
Çitaku shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale.
“Pra, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.”, tha ajo.
Çitaku konsideron se kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.
“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.
Ajo tha se kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej të prodhonte reflektim edhe te institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi.
“Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës. Duke lënë anash komponentën e drejtësisë, në të cilën besojmë, zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë, nuk ka substancë të besueshme për trajtim. Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj”, tha Çitaku./21Media

Back to top button