Çka e pret Osmanin në vizitën e saj zyrtare në Kroaci?

Presidenca kroate ka shpalosur detaje lidhur me vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Kroaci dhe takimet që do t’i zhvillojë atje me përfaqësues kroatë.
Sipas njoftimit për media, Osmani ka shkuar në këtë vizitë dyditore me ftesë të homologut të saj, Zoran Milanoviç, dhe do të shoqërohet edhe nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu.
Përveç Zagrebit, Osmani pritet ta vizitojë edhe Karllovacin dhe Rijekën, njoftoj Presidenca kroate.
Qëndrimin e saj, Osmani do ta fillojë me takim me Milanoviç në Presidencë, për të vazhduar edhe me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit.
“Gjatë qëndrimit të saj në Kroaci, ndër të tjera është planifikuar takimi i saj me pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Kroaci”, thuhet në komunikatë.
Vetë Presidentja Osmani është shprehur e lumtur që po e nis këtë vizitë./21Media