Çka është anemia, cilat janë shkaqet dhe simptomat, tregon Dr. Fitim Gashi
“Anemia është një gjendje, e cila karakterizohet me zvogëlimin e eritrociteve, hemoglobinës hematokritit dhe si pasojë kemi mungesë të oksigjenit në inde.”, kështu ka bërë të ditur për rtv21.tv Dr. Fitim Gashi, Specialist i Mjekësisë Interne-Hematologjisë.
Ai ka informuar se shkaktarët e paraqitjes së anemisë janë shumë të ndryshme, duke filluar mungesa e hekurit në ushqime.
“Menstruacionet e bollshme te femrat, gjakderdhjet gastrointestinale, sëmundjet infektive, sëmundjet inflamatore, dietat e ndryshme, mungesa e hekurit, vitaminës B, acidit folik. Shkaktarët e anemive mund të jenë: Shkatërrimi prodhimit të eritrociteve, ku mund të jetë e fituar për shkak të sëmundjeve autoimune- anemia aplastike, rrezatimi, barnat dhe kemikalet si: benzeni kloramfenikoli, sëmundjet virale si hepatiti A B C, virusi epstein barr, idiopatike.”, ka treguar Dr. Gashi.
Specialisti i Mjekësisë Interne-Hematologjisë ka deklaruar për rtv21.tv se ka anemi edhe te sëmundjet e leukemisë, limfomës hogjkin dhe johogjkin, sëmundjet e mielodisplazionit të palcës kockore.
Sipas tij, anemi ka përfshirja e tumoreve metastatike në palcë, pas kimioterapisë.
“Në disa raste janë edhe sëmundjet endokrine, hipotireoidizmi, sëmundjet veshkave, parazitozat si: malaria, babezioza, bartonelloza etj. Rritja e shpretkës, etj.”, ka bërë të ditur ai.
Rrahjet e shpeshta të zemrës, kokëdhimbjet dhe problemet me fyt janë vetëm disa nga simptomat e anemisë që ka përmendur Dr. Fitim Gashi.
“Simptomat e anemisë, te disa prej tyre më të shpeshta janë: lodhja, plogështia trupore, kokëdhimbja, rrahjet e shpeshta të zemrës, dhimbjet e barkut, problemet me fyt. Nëse pacienti ka këto simptoma, duhet të lajmërohet te mjeku dhe pas bërjes se analizave hematologjike përcaktohet lloji i anemisë dhe terapia adekuate në bazë të shkaktarit të anemisë.”, ka treguar Specialisti i Mjekësise Interne-Hematologjisë, Dr. Fitim Gashi./21Media