Çka miratoi Kuvendi bullgar? Osmani: Mbetet për t’u parë nëse Franca do të dalë me propozim përfundimtar

Së pari do të shqyrtojmë se çfarë ka miratuar Kuvendi i Bullgarisë dhe pastaj do ta dalim me qëndrim, tha ministri i jashtëm Bujar Osmani pasi deputetët në parlamentin bullgar e miratuan Deklaratën e cila në fakt do të thotë pranim i propozimit francez për zhbllokim të negociatave të Maqedonisë me BE-në. Ai njëkohësisht theksoi se mbetet për t’u parë nëse Franca do të dalë me propozim të saj përfundimtar.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq tha se Qeveria ka bërë përpjekje serioze dhe se synimi ynë është që të bëhemi pjesë e BE-së, por me interes të mbrojtur nacional.
“Ne nuk mundemi as të heqim dorë nga rruga jonë drejt BE-së, sepse ajo është përcaktuar gjatë shpalljes së pavarësisë sonë, por as nuk mundemi të heqim dorë nga disa pozita që janë të rëndësishme për çdo shtet. Për çdo shtet është me rëndësi të mbrohen gjuha dhe identiteti, për çdo shtet është i rëndësishëm dinjiteti për të hapëruar në rrugën drejt BE-së, gjithsesi duke i marrë parasysh marrëdhëniet e mira fqinjësore si kriter i rëndësishëm i cili është vendosur në suazë, gjegjësisht në kriteret për hyrje në BE”- deklaroi Bojan Mariçiq, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Por a mundet votimi në Parlamentin bullgar të merret si tentim nga Bullgaria për t’i hedhur poshtë akuzat që gjithnjë e më shumë vijnë nga vendet-anëtare të BE-së – se është frenues i procesit evropian të zgjerimit dhe këtë t’ia hedhë palës maqedonase? Osmani me qëndrim se nëse Bullgaria vazhdon me qëndrimet e njëjta, atëherë nuk bëhet fjalë për ndryshim të pozitave dhe faji nuk mund të na lihet neve./TV21

Back to top button