Çka ofron Universiteti i Mitrovicës për studentët e rinj

 
Sivjet 68.43% e maturantëve të cilët treguan sukses në provimin shtetëror të maturës presin hapjen e konkurseve nga Universitetet.
Shumica e maturantëve janë në dilemë se çfarë drejtimi do të ndjekin dhe cili Universitet i plotëson kushtet dhe synimet e tyre.
Por, çka ofrojnë Universitetet Publike në vend për vitin akademik 2021/2022 portali rtv21.tv ka realizuar në një seri intervistash me rektorët e univeristeteve.
Intervistë me rektorin e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Alush Musaj.
1. Çka ofron Universiteti i Mitrovicës për studentët e rinj?
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ofron mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë që duan të studiojnë këtu, duke pasur parasysh programet atraktive që ka dhe që sigurojnë punësim. UIBM ka kampusin më të mirë në Kosovë, ka staf të përgatitur, laboratorë dhe kabinete të pajisura jashtëzakonisht mirë. UIBM në kuadër të ranglistës së universiteteve publike, sipas Ëebometrix zakonisht renditet e dyta në Kosovë pas UP-së, ndërsa së fundi edhe në bazë të hulumtimeve të organizatës ORCA universiteti ynë ka dalur i dyti në Kosovë sa i përket hulumtimeve shkencore.
2. Cilat janë problemet më të cilat ballafaqohet Universiteti i Mitrovicës?
Kampusi i ri ka krijuar kushte shumë të mira për punë në UIBM, duke na ofruar komoditetin që të fokusohemi në ngritjen e cilësisë në mësim. Riakreditimi institucional i UIBM për 3 -vjet si dhe riakreditimi i programeve, disa prej të cilave janë në proces, tregojnë për punën e mirë që po bëhet në universitetin tonë. Vitin e kaluar është miratuar edhe statuti i UIBM, ndërsa shpresojmë që institucionet përgjegjëse të marrin vendim që universiteti ynë të funksionojë si njësi e pavarur buxhetore, me çka do të lehtësohej edhe më puna dhe fokusi në projektet shkencore.
3. Nga cilat komuna keni më shumë studentë dhe sa janë në përputhje më nevojat e tregut drejtimet përkatëse të Universitetit?
Studentët vijnë kryesisht nga Mitrovica, Skënderaj dhe Vushtria, por në numër më të vogël ka edhe nga komunat tjera. Programet janë shumë atraktive për tregun e punës.
4. Sa jeni të kënaqur me kushtet infrastrukturore të Universitetit?
E thashë edhe më parë UIBM ka një kampus modern, që ofron kushte të jashtëzakonshme për punë si për studentë ashtu edhe mësimdhënës, duke përfshi sallat e mësimit, kabinetet, laboratorët, ndërsa në përfundim e sipër janë edhe konviki dhe mensa.
5. Sa ka bashkëpunim ndërkombëtar Universiteti i Mitrovicës?
Përveç marrëveshjeve të bashkëpunimit me një numër të madh universitetesh në vende të ndryshme të botës, studentët dhe mësimdhënësit e UIBM kanë shfrytëzuar mundësitë që ofrohen edhe nga projektet e ndryshme në të cilat ka qenë pjesë universiteti ynë. Ka studentët dhe mësimdhënës tanë që janë bërë pjesë e këtyre projekteve, duke përftuar bursa për të studiuar jashtë vendit apo për të përfituar nga aktivitete shkencore si konferencat, seminaret etj./21Media

Back to top button