Çka pas vaksinës?

Menjëherë pas fillimit të vaksinimit në BE, vendet anëtare po mendojnë për ditët e ardhshme dhe po shqyrtojnë mundësinë e futjes së përfitimeve për njerëzit e vaksinuar.

Asgjë konkrete nuk mund të thuhet ende, por lajmet nga Kopenhaga mund të jenë një shpresë për disa njerëz.
Qeveria daneze njoftoi të mërkurën futjen e një pasaporte dixhitale koronare, një aplikacion për smartphone, me të cilin një individ do të jetë në gjendje të provojë se është vaksinuar.

Detajet nuk janë sqaruar ende, por është e sigurt që kjo kartë duhet të lehtësojë kthimin në normalitet dhe t’u mundësojë njerëzve të biznesit që të udhëtojnë përsëri.

Suedia fqinje ka plane të ngjashme dhe një ditë më vonë njoftoi gjithashtu prezantimin e një pasaporte dixhitale.

“Me konfirmimin dixhital, do të jetë e mundur të provohet shpejt dhe lehtë se vaksinimi është bërë,” tha të enjten Ministri për Dixhitalizimin, Anders Igeman. Për momentin, pyetja është se për çfarë mund të jetë e mirë ajo kartelë vaksinimi. Tani për tani, në shumicën e vendeve të BE, për shkak të numrit të lartë të njerëzve të infektuar dhe shfaqjes së një lloji të ri të virusit, flitet më shumë për shtrëngimin e mëtejshëm të masave. Kjo do të ndikojë jo vetëm në jetën publike dhe private, por edhe në udhëtime.

Danimarka, për shembull, po kërkon një arsye të vlefshme, siç janë takimet e biznesit ose mbledhjet familjare, për të miratuar hyrjen në vend, si dhe një test negativ në Kovid-19, jo më i vjetër se 24 orë. Aktualisht, për shkak të përhapjes së mutacionit britanik të virusit, pothuajse askush nga Danimarka nuk mund të hyjë në Suedi.

Edhe këtu nuk është ende e mundur të parashikohet nëse futja e një karte dixhitale të vaksinimit do të ishte e dobishme dhe do të çonte në rivendosjen e disa të drejtave.

Ndryshe është në Estoni. Vetëm disa javë pas fillimit të ngadaltë të vaksinimit në BE, Talini ka njoftuar tashmë rregullat e para të veçanta, pra zbutjen e masave për ata që janë vaksinuar. Që nga kjo javë, udhëtarët nga BE dhe vendet e treta, të cilët janë vaksinuar në gjashtë muajt e fundit, nuk janë më të detyruar të shkojnë në karantinë dhe të bëjnë teste të detyrueshme në Kovid-19. Këto rregulla zbatohen gjithashtu për të gjithë ata që janë shëruar nga Kovid në gjashtë muajt e fundit. Njerëzit e vaksinuar tashmë po hyjnë më lehtë në Poloni dhe Rumani.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjithashtu dëshiron të bëjë më të lehtë udhëtimin. Ai vendosi temën e futjes së pasaportave për vaksinimin për të gjithë BE-në në samitin e fundit video të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE, në mes të janarit.

Turizmi përbën rreth 12 përqind të produktit të brendshëm bruto të Greqisë. Sipas një studimi nga firma këshilluese Ernst & Young, qarkullimi në industri ra 79 përqind në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar. Numri i vendeve të punës është zvogëluar dhe pagat janë ulur. Për shumë restorante, hotele dhe institucione kulturore, në vende të tilla si Greqia, Spanja dhe Italia, lehtësimi i synuar i masave kufizuese dhe futja e të drejtave të veçanta për njerëzit e vaksinuar mund të jetë jetike sezonin e ardhshëm.

Vaksinimi i detyrueshëm diskutohet shumë më përmbajtur. Kancelarja gjermane Angela Merkel po flet qëllimisht për ofertën për vaksinim, kur bëhet fjalë për strategjinë e qeverisë gjermane për vaksinimin. Edhe pse në disa vende, të tilla si Franca dhe Holanda, shumë njerëz janë skeptikë kur bëhet fjalë për vaksinat, deri më tani asnjë vend i BE nuk ka njoftuar një detyrim të përgjithshëm për të vaksinuar.

Para fillimit të fushatës së vaksinimit në Austri, futja e vaksinimit të detyrueshëm për grupe të caktuara profesionale,si kujdestarë ose punonjës në kopshte dhe shkolla etj.

Për momentin, ka shumë diskutime nëse ata që janë vaksinuar mund të jenë të parët që të udhëtojnë përsëri, të shkojnë në kafene apo në teatër. Jo të gjitha aspektet shkencore dhe politike janë sqaruar ende.

Gjithashtu është e paqartë në çfarë mase vaksinimi do të parandalojë përhapjen e mëtejshme të infeksionit dhe për sa kohë ai siguron mbrojtje fare.

Përveç kësaj, shtrohet pyetja se si të mbrohen të drejtat e njerëzve që nuk kanë pasur qasje në vaksina deri më tani.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i tha agjencisë publike ARD se ajo llogarit se do të ketë njerëz që do të kundërshtojnë vaksinimin:
“Atëherë mund të jetë e nevojshme të bësh një ndryshim dhe të thuash:” Mirë, kush nuk dëshiron atë mund të mos jetë në gjendje të bëjë disa gjëra”./21Media

Back to top button