Clark: Kosova histori suksesi për SHBA-të si asnjë tjetër

 
Në shoqërimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark.
Kurti e falënderoi gjeneralin Clark për udhëheqjen e tij në intervenimin vendimtar të NATO-s, kundër Jugosllavisë së Milosheviqit në pranverën ‘99, për funksionin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ritheksoi vendosmërinë e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e NATO-s.
Gjenerali Clark e uroi kryeministrin Kurti për pozitën e re dhe për të arriturat e deritanishme të qeverisë. Ai shprehu mbështetje për synimet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe prosperitet mbarëshoqëror.
Sipas Clark, shteti i Kosovës është miku më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë. Ai rikujtoi kur presidenti Bill Clinton, pas vizitës së tij të fundit në Kosovë, i kishte thënë se Kosova është gjëja më e mirë që e ka bërë gjatë presidencës së tij tetë vjeçare.
Më tej, ai tha se Kosova është histori suksesi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si asnjë tjetër.
Kryeministri Kurtigjithashtu e falënderoi për vullnetin e shprehur të gjeneralit Clark për të ofruar këshilla profesionale për ministrin Mehaj./21Media

Back to top button