Clinton pranon urime nga Kosova për ditëlindje

Ish- presidenti i SHBA-së, Bill Clinton sot feston ditëlindjen e 76-të. Ai sot ka marrë urime edhe nga Kosova.
I pari i AKR-së, Behgjet Pacolli përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se jemi mirënjohës për lidershipin dhe humanizimin e treguar nga presidenti Clinton.
“Në ditëlindjen e 76-të, i dërgoj urimet e mia më të sinqerta Presidentit Bill Clinton. Jemi gjithmonë mirënjohës për lidershipin dhe humanizimin e treguar nga presidenti Clinton ndaj Kosovës. Ishim dhe jemi me fat për miqësinë amerikane”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka uruar Clintonin për ditëlindje, teksa ka shkruar se për Kosovën, Clinton do të mbetet gjithmonë lideri me bindje të drejtë, zemër të madhe e miku ynë i përjetshëm.

“Në 76-vjetorin e lindjes, i dërgoj urimet më të përzemërta Presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton. Për Kosovën, Presidenti Clinton do të mbetet gjithmonë lideri me bindje të drejtë, zemër të madhe e miku ynë i përjetshëm. Si popull dhe si shtet, nuk do të harrojmë asnjëherë kontributin dhe vendosmërinë e presidentit Clinton për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Urime, shëndet dhe jetë të gjatë, President! Jemi me fat që të kemi”, ka shkruar Krasniqi.
Një urim për Clintonin e ka bërë edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku., e cila ka shkruar “Presidenti Clinton e thotë gjithmonë me mburrje se vendimi për të ndërhyrë ushtarakisht në mbrojtje të popullit të Kosovës mbetet një nga trashigimitë më të ndritura të administratës së tij”.

Bill Clinton (William Jefferson Clinton) lindi më 19 gusht të vitit 1946 në Hope, Arkansas, SHBA. Bill Clinton është një politikan amerikan i cili shërbeu si President 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në vitin 2001.
Clinton gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-s për ndërhyrjen e NATO-s në Luftën e Kosovës në vitin 1999./21Media

Back to top button