Çmimet e Kinematografisë, Kurti: Talentin e kemi brenda shtëpisë, të punojmë për të

Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë.
“Përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të”, tha kryeministri Kurti në hapje të ceremonisë së ndarjes së çmimeve vjetore në kinematografi.
Duke përmendur dy marrëveshjet e rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik, atë me shtetin e Izraelit dhe me Francën, kryeministri shtoi se këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Kino Armata në Prishtinë, u ndanë dy çmimet vjetore në kinematografi për vitin 2021.
“Çmimi vjetor për Kinematografi” i takoi regjisores Blerta Basholli. Ky çmim që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë për vitin 2021, regjisorja Basholli e pranoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, iu nda post-mortem aktorit, producentit dhe skenarist të gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare, Abdurrahman Shala.
Këtë çmim që u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë, në emër të familjes e pranoi Genc Shala, nga ministri Hajrulla Çeku.
“Detyra e jonë është që ta ushqejmë këtë talent, t’ia hapim dhe t’ia lehtësojmë rrugët drejt suksesit, e t’i mbështesim jo vetëm pasi që të korrin suksese. Për këtë arsye janë nënshkruar dy marrëveshje shumë të rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik. E para është nënshkruar me shtetin e Izraelit dhe e dyta me njërin prej shteteve më të fuqishme në kinematografi, atë me Francën. Këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, e shkëmbim..”, u shpreh Kurti në fjalimin e tij./21Media

Back to top button