Çmimi i rrymës rritet për 9.48%

Nga 1 janari çmimi i rrymës do të rritet për 9.48%.  Me këtë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i qëndroi fjalës se rritja nuk do të jetë mbi 10%. Duke parë nga aspekti statistikor, kjo do të duket kështu: nëse merrni faturë prej dy mijë denarëve, atëherë ajo do të rritet për thuajse 200 denarë. Drejtori i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, tha se ky është një nga vendimet më të vështira, duke pasur parasysh se rritja reale do të duhej të ishte 25%, kurse kompanitë energjetike kanë kërkuar shtrenjtësimi të arrijë deri në 38%.
“Me këtë vendim, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të rritet për 9.48%. Rritja reale do të ishte më shumë. Por arritëm të shkurtojmë shumë shpenzime dhe në mënyrë shtesë Qeveria merr obligime që t’u ndihmojë kompanive shtetërore gjatë periudhës në vijim”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.
Bislimovski theksoi se kjo është rritja më minimale që mund të arrihej. Ai i thirri qytetarët të kursejnë energji elektrike për shkak se vendi ballafaqohet më një nga krizat më të mëdha energjetike. Ai tha se Qeveria nuk planifikon të vendosë restrikcione të rrymës edhe pse atë e kanë bërë të gjithë vendet e rajonit. Njëkohësisht theksoi se është marrë vendim për shfuqizim të tarifës së lirë ditore ndërsa tarifa e lirë në orët e natës dhe të dielën, mbetet.
“Nga 1 janari shfuqizohet tarifa e lirë ditore. Tarifa e lirë gjatë natës dhe të dielën mbetet dhe kjo nuk është nën pikëpyetje. Me këtë vendim të KRRE-së, nëse nuk shfuqizohej tarifa e lirë ditore, rritja e çmimit në vend të 9.48% do të ishte 14.23%”, shtoi Bislimovski.
Nga Qeveria paralajmëruan ndihmë për kategoritë më të rrezikuara, me të ardhura të ulëta.
“Qytetarëve me të ardhura të ulëta, personave të vetëm, amvisërive me dy persona dhe amvisërive me tre anëtarë, u takon ulje e faturës mujore për energji elektrike në vlerë prej 600 denarëve në muaj, ndërsa qytetarëve me të ardhura të ulëta amvisërive me 4 anëtarë dhe 5 anëtarë u takon ulje e faturës mujore për energji elektrike në vlerë prej 800 denarëve në muaj”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga opozita akuzojnë për menaxhimin e keq të sektorit energjetik. Rritja e rrymës do të thotë gjendje kaotike ndërsa shfuqizimi i tarifës së lirë ditore në mënyrë shtesë do t’i rrisë faturat, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në lidhje me paralajmërimet për rritjen e çmimit të ngrohjes qendrore për 300%, KRRE sot do ta shqyrtojë kërkesën e BEG, ndërsa vendimin me më shumë gjasa, do ta marrë nesër. Çmimi i gazit natyror në bursat është rritur në mënyrë drastike, por ne do të bëjmë gjithçka që të mos ketë rritje drastike të çmimit, për shkak se në atë mënyrë konsumatorët do të shkyçen nga sistemi i ngrohjes dhe me këtë do të ngarkohet shpenzimi i energjisë elektrike./TV21

Back to top button