“ÇMIMI” QË PAGUAJNË NXËNËSIT PËR GREVËN

PËRLESHJE MES NXËNËSVE NË SHKOLLËN “KADRI KUSARI” NË GJAKOVË
Situata e krijuar me grevën në arsim po shkakton probleme dhe mes nxënësish. Në shkollën e mesme ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë, mësimi filloi me zënka. Psikologë e sociologë thonë se greva e mësimdhënesëve ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt tek të gjithë.
Filluan me zënka e më pas situata eskaloi deri në përleshje fizike mes dy nxënëseve të shkollës së mesme ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë. Shkaqet e kësaj mosmarrëveshje nuk dihen, por ngjarja u incizua nga nxënësit e tjerë që më pas bëri bujë të madhe në rrjetet sociale. Drejtoresha e kësaj shkolle Merita Bushi, tha se do të merren masa ndaj këtyre dy vajzave.
Greva në arsim duket se ka patur ndikiimet më të mëdha tek fëmijët. Prej pesë javësh ata nuk kanë vijuar mësimin në menyrë të rregullt ndërkohë që zënkat si këto në Gjakovë, sado që ka patur edhe më heret, duken shqetësuese.
Kryetari i shoqatës së psikologëve të Kosovës Ilir Havolli, ndër të tjera tha se greva ka thelluar më shumë vështirësinë që fëmijët të përshtaten në dimensionin fizik dhe psikologjik në shkolla.
Edhe sipas sociologut Jeton Brajshori, greva ka ndikuar në mënyrë direkte tek personaliteti i fëmijëve. Ai shprehet i shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të tyre.
Radio Televizoni 21 për këtë rast pyeti edhe në Policinë rajonale të Gjakovës, por thanë se ky rast duhet të trajtohet në nivel shkolle./21Media

Back to top button