Conte kërkon durim, merr shembull Artetan

Antonio Conte ka vënë në dukje përmirësimin e Arsenalit nën drejtimin e Mikel Artetas si provë se koha dhe durimi janë të nevojshme për të pasur sukses në Premier Ligë.
Arsenali gjendet në krye të tabelës së kampionatit anglez, pasi që fitoi gjashtë nga shtatë ndeshjet e para këtë sezon.
Ndërkaq, nesër skuadra e Contes do të zhvillojë derbin e Londrës Veriore, ku është mysafire e Arsenalit në stadiumin “Emirates”, me vetëm një pikë që i ndan të dy skuadrat në tabelë.
Duke folur në një konferencë shtypi sot, Conte, i cili më parë ka folur për nevojën e kohës për ta çuar Tottenhamin deri në nivelin e klubeve të tjera të larta në Angli, nuk ngurroi që të lavdëroj durimin që ka treguar rivali i skuadrës së tij.
“Unë mendoj se klubi e mbështeti Artetan në këto vite, dhe ju po e shihni, se kur ju besoni në një person, dhe Arsenali kaloi gjithashtu një periudhë të vështirë me Artetan për ta mbështetur atë në çdo moment,” tha ai. “Dhe tani ata kanë rezultate të mira”, shtoi më tej trajneri italian.
“Unë mendoj se ata po bëjnë një punë të mirë. Por për mendimin tim, është gjithmonë shumë, shumë e rëndësishme të kalosh sa më mirë me trajnerin dhe me klubin. Nëse doni të ndërtoni diçka të rëndësishme, duhet të shkoni së bashku për të pasur një marrëdhënie të mirë dhe unë mendoj se trajneri në çdo vendim që do të merret duhet të ketë një shpjegim të mirë në klub pse unë e dua këtë lojtar dhe jo këtë lojtar”, tha më tej Conte.
Nesër me fillim nga ora 13:30 skuadra e Tottenhamit do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Arsenalit, e vlefshme kjo për xhiron e tetë të Premier Ligës angleze.

Back to top button