Conte: Tensionet Itali – Francë mund të sheshohen menjëherë
Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se Italia dhe Franca kanë një lidhje të thellë historike dhe se çdo tension mund të shuhet shpejt
Komentet e tij erdhën pasi Parisi tërhoqi ambasadorin e tij nga Roma.
“Do të doja të them se marrëdhëniet Itali-Francë janë rrënjosur në histori dhe nuk mund të vihen në dyshim nga ngjarjet”, ka deklaruar Giuseppe Conte, kreyministër i Italisë
Komentet, kryeministri Italian i bëri nga Bejruti, gjatë një vizite zyrtare, duke shtuar se gjithçka mund të sheshohet menjëherë.
Ministria e Jashtme franceze njoftoi këtë të enjte se ka tërhequr ambasadorin e saj në Romë për konsultime, pas një serie “provokimesh” nga udhëheqësit e qeverisë populiste të Italisë.
Reagimi vjen një ditë pasi ministri i Jashtëm francez denoncoi si “të papranueshëm” një takim mes zv.kryeministrit italian, Luigi Di Maio, dhe protestuesve antiqeveritarë të ashtuquajtur tashmë “jelekverdhë”.
“Ky provokim i ri është i papranueshëm mes vendeve fqinje dhe partnerëve në zemër të Bashkimit Europian”, tha zëdhënësi i ministrisë në një deklaratë, një ditë pasi Di Maio u takua me protestuesit në tokën franceze./21Media