Kaloni te përmbajtja kryesore

​Covey: Thaçi ishte urë lidhëse

(Lajm i përditësuar)


​Covey: Thaçi ishte urë lidhëse

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi i cili po gjykohet për krime të pretenduara të luftës në një rast me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë, Covey po përgjigjen në pyetjet shtesë të avokatit kryesor të Thaçit, Luka Mishetiq.

Mbrojtja e pyeti atë rreth disa deklaratave të tij ku kishte thënë se marrëdhënia e Thaçit me veteranët e UÇK-së ishte “në fije të perit”.

Dëshmitari pati thënë dje se Thaçi ishte shumë i kujdesshëm që “të mos ta tërhiqte shumë perin sepse mund të këputej”.

“Ishte diçka e rrallë, ndonjëherë dukej sikur përpiqej të përfaqësonte interesat e UÇK-së, të paktën retorikisht, ose të shërbente si pikë ndërlidhëse… Keni thënë kështu: Nga konstatimet e mija dola në përfundimin se zotëri Thaçi kishte ambicien dhe objektivin të bëhej politikan dhe udhëheqës në Kosovë, dhe ai e dinte se duhet të bashkëpunonte me UNMIK-un për ta realizuar këtë, ndonëse fillimisht shërbeu si një urë lidhëse për interesat e UÇK-së, vlen të thuhet se këto raste shërbyen sepse ai përfundimisht pati një qëndrim legjitim dhe i shërbeu t ë drejtave të tij. Më pas keni thënë: Shpresoj të trajtojmë disa nga rastet se si zotëri Thaçi dukej se avokonte në emër të atyre që ishin persona me interes apo kryesor në UÇK. Tani pyetja ime ishte kjo, a mund të na jepni disa nga këto rastet konkrete që i keni thënë dje”, pyeti Mishetiq.

Kjo pyeti hasi në kundërshtimin e prokurorisë por kryetari i trupit gjykues, Chales Smith e rrëzoi kundërshtimin.

Prokurorja: Kundërshtoj, kjo është përtej fushëveprimit tim, nuk diskutova konkretisht këtë pjesë të deklaratës me dëshmitarin, sa i takon atij që paska qenë urë lidhëse. Nëse lejohet avokati të bëj pyetje të këtij lloji, atëherë edhe unë do të bëj pyetje të mëtejme.

Mishetiq: Kundërshtoj. Unë do t’i bëj pyetjet sepse prokurorja konkretisht ka diskutuar takimin e zotëri Thaçit me gjeneralin Jackson.

Gjykatësi: Kundërshtimi rrëzohet. E mora vendimin dhe e rrëzova kundërshtimin.

Më pas, dëshmitari u përgjigj duke e përmendur një letër të cilën Thaçi ia kishte dërguar atëkohë Bernard Kushnerit, përmes së cilës i kërkonte armë për disa persona që ishin pjesë e UÇK-së.

Covey tha se në atë mënyrë, ata e kishin kuptuar se Thaçi “shërbente si urëlidhëse”.

“Besoj se dje, apo të paktën këto dy ditë që kam qenë këtu kemi parë një dokument që zotëri Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kushnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, ish-anëtarë të UÇK-së, dhe e dinim që në atë kohë, të paktën sipas mendimit tonë, kjo nuk duhej të ndodhte. Por ne e kuptuam që ishte një urë lidhëse, kjo ishte përshtypja jonë. Ai po kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona, pra ne menduam se pikërisht kjo sjellje u shfaq disa herë, dhe më duhet të shtoj, ky është gjykimi im, do të shtoj edhe episodin që është përshkruar në librin e Jacskon, që ka qe në shumë kohë më pas, zotëri Thaçi nuk kishte marrë shumë pjesë në negociatat mes KFOR-it dhe udhëheqësve të lëvizjes së UÇK-së. Dhe nuk më befason që ai e ndjente nevojën që ai të bënte të qartë përkrahjen e tij të fortë për udhëheqjen e UÇK-së, a do të ishte e suksesshme apo jo, kjo do të ishte diçka në vete atë kohë, unë thjesht mund të hamendësoj, por kërkesa e tij që Jackson të shkonte në qytet ta takonte asokohe, ishte shumë serioze, ishte edhe për të qeshur njëkohësisht. Por ky ishte një djalë i ri që po përpiqej të ishte i suksesshëm, ishte një situatë në të cilën i nuk kishte përvojë, ne nuk u befasuam aspak për këtë, ai përpiqej të pozicionohej pra”, tha ai.

“Duhet të shtoj edhe një histori që nuk e kam ditur atë kohë, një raport që ai mbante municione në male, nuk e kam parë ndonjë provë që kjo të ketë ndodhur rregullisht, por ky ishte djalë i ri, ambicioz. Ai kërkonte të çimentonte pozicionin e vet, nuk mendoj se kjo cenon apo ndryshon gjykimin tonë sa i takon marrëdhënies që ai e ka pasur me komandantët e UÇK-së, dhe as nuk kontradikton gjërat që kanë thënë publikisht, ku ka avokuar për të mos pasur akte dhune, të mbroheshin pakicat”, shtoi dëshmitari.

Më pas seanca kaloi në sesion privat për disa minuta.

Dëshmia e Jock Covey vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.


Covey: Thaçi kërkoi armë për disa persona, e kuptuam që ai ishte vetëm urë lidhëse

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes- James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Pyetjet shtesë për dëshmitarin po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.

Duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, nëpërmjet të cilit kërkonte armë për disa persona nga radhët e UÇK-së gjatë periudhës së demilitarizimit, Covey tha se e kanë kuptuar se tani i akuzuari ishte vetëm urë lidhëse.

“Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey.

Në një deklaratë të mëhershme, dëshmitari kishte thënë se raporti i Thaçit me disa veteranë ishte “në fije të perit”.

“Lidhja e Thaçit me veteranët e vjetër të luftës që kishin luftuar nëpër beteja ishte në fije të perit dhe ishte shumë i kujdesshëm që të mos e tërhiqte shumë perin se mos këputej”, lexoi Mishetiq.

Duke kaluar tek një temë tjetër, me kërkesën e avokatit Mishetiq, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se ofruesi i informacionit ka kërkuar që të jetë informacion konfidencial.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button