Covid-19 po rikthehet, a ka Kosova mjaftueshëm vaksina, për RTV21 flasin nga MSh-ja

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Kosova ka stok të qëndrueshëm të vaksinave kundër COVID-19. Sipas këtij institucioni, mbi 800 mijë vaksina aktualisht janë në dispozicion. Por, numri i qytetarëve që po vaksinohen është i ulët.
“Rreth 800 000 Pfizer/BioNTech janë në dispozicion. Afatat ndryshojnë në varësi nga stoku kur ka arritur apo prodhuar, por që janë me afat të vlefshem përdorimi”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë për portalin rtv21.tv.
MSh për rtv21.tv ka bërë të ditur se para disa ditësh, Kosova ka marrë rreth 5000 doza pediatrike kundër COVID-19.
Gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë u vaksinuan vetëm 13 persona. Lidhur rënien e interesimit për t’u vaksinuar, MSh për rtv21.tv ka thënë se “është e kuptueshme, sepse një përqindje e madhe e popullates s’kanë marrë nga 1 dhe 2 doza”.
“Me i ulët se përpara, por është e kuptueshme, sepse një përqindje e madhe e popullates s’kanë marrë nga 1 dhe 2 doza, mbi 8% nga tre doza, ndërsa tash është lejuar edhe vaksinimi me dozën e 4-të i grupmoshës 60+, me kusht që të kenë kaluar 4 muaj nga marrja e dozës së tretë”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve 12+ që të vaksionohen kundër Covid-19, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe vaksinimi i fëmijëve 5-11 vjeç.
“Të vaksinohen të gjithë qytetarët e moshës 12+ me vaksinën kundër COVID-19, me përjashtim të atyre që kanë kundër indikacione dhe me leje të mjekut. Vaksina mbetet rruga më e mirë për t’u mbrojtur nga sëmundja, format e rënda të saj, vdekjet dhe, gjithashtu, shihet edhe si rruga më e mirë për të parandaluar kthimin e kufizimeve të ndryshme. Së shpejti do të fillojë edhe vaksinimi i fëmijëve 5-11 vjeç dhe prindeërve u bëhet thirrje që të mbrojnë fëmijët e tyre përmes vaksinimit”, ka thënë tutje MSh.
Numri i rasteve me koronavirus në Kosovë ka nisur të rritet në gjysmën e dytë të qershorit. Shkalla e infeksionit është në rritje edhe në vende të tjera të Ballkanit dhe më gjerë.
Në Kosovë, më pak se gjysma e popullatës së përgjithshme, përkatësisht mbi 823 mijë persona kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit. Me dozën e tretë janë vaksinuar mbi 103 mijë qytetarë./21Media

Back to top button