Cufaj: Kosova ka kryeministër kryeneç, por s’ka tanke dhe ushtri të madhe

Në një shkrim për mediumin prestigjioz gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për kryeneçësi ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.
Duke komentuar situatën politike në rajon dhe dialogun me Serbinë në kohën kur Evropa po përballet me luftën në Ukrainë, Cufaj ka thënë se Kosova duhet të pranojë zgjidhjen që i ka ofruar Gjermania e Franca me “propozimin evropian”.
“Sipas marrëveshjes së vitit 2013, serbët e Kosovës kanë të drejtë të vetëqeverisin – por në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Janë dy probleme me këtë. I pari që Kosova frikësohet se serbët, që kontrollohen politikisht nga Beogradi, mund të kërkojnë ribashkim me Serbinë. Dhe i dyti, sipas meje, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Cufaj.

Tutje Cufaj ka thënë se Kurti ka qenë kundërshtues i Marrëveshjes së Rramboilletit e më pas edhe i Planit të Ahtisaarit. Ai ka shtuar se kryeministri aktual e ka parë për vite të tëra zgjidhjen e vetme për Kosovën – bashkimin me Shqipërinë. Sipas tij, pasi që “Kurti pa se nuk mund të bëhet Shqipëria e Madhe, ai më 2011 vendosi t’i hyjë jetës parlamentare në Kosovë”. Tash pas dy vjetësh kryeministër, sipas Cufajt, Kurti nuk dallon nga ish-kryeministrat. Ai në shkrim ka thënë se “përderisa Serbia pa dëshirë po e pranon planin perëndimor, shqiptarët e Kosovës janë bllokuar me Kurtin në krye”.

“Për herë të parë në historinë e re, Kosova po iu thotë ‘jo’ çliruesve dhe sponsorëve të saj perëndimorë. Jo haptas, sigurisht: një ‘jo’ për SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë do të ishte e pazbatueshme. Gjithçka që dëgjojnë kosovarët është: Kurti i thotë ‘jo’ vetëqeverisjes për serbët në Kosovë. Ky ishte premtimi i tij zgjedhor”, ka shkruar Cufaj.
Sipas ish-ambasadorit, kushti i Kurtit, që pa njohje s’mund të ketë asociacion, ka mërzitur partnerët ndërkombëtarë. Ai ka thënë se Kurti duhet të heqë dorë nga premtimet zgjedhore dhe se nuk mund ta ndalojë formimin e Asociacionit.

“Kosova ka kryeministër kryeneç, por s’ka tanke, aeroplanë apo ushtri të madhe”, ka shtuar ai. Cufaj ka thënë se përderisa Vuçiqi dhe Serbia i kanë këto, partnerët e Kosovës mund të përgjigjen se “ne ju mbrojmë nga ai dhe Putini”.

Ai ka vlerësuar se “normalizimi aktual” është që “Vuçiqi të shpëtohet nga presioni për njohje ‘de jure’, dhe në këmbim largohet nga Putini dhe Kosovës i jepet njohja ‘de facto’ nga Serbia”.
“Ky është normalizim. Maksimumi nga minimumi. Me kusht që Kosova t’u japë autonomi serbëve të saj”, ka shtuar Cufaj.
Cufaj ka qenë ambasador në Gjermani nga vera e vitit 2018 ndërsa u shkarkua në maj të vitit 2021./21Media

Back to top button