D+: Aprovimi i pjesshëm i ankesave në OShP dëmtoi buxhetin e Kosovës

Buxheti i Kosovës është dëmtuar për 246 mijë e 882 euro nga aprovimi i pjesërishëm i 104 ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), për vitin 2020 dhe tre mujorin e parë të vitit 2021, për shkak të moskonfiskimit të tarifave.
Kështu u bë e ditur në një konferencë për media të Demokracia Plus, me rastin e publikimit të raportit të monitorimit të OShP, teksa u theksua se aprovimi i pjesshëm i ankesës vetëm që të mos konfiskohet tarifa e ankesës nxitë kompanitë që të dorëzojnë ankesa të pabaza dhe njëkohësisht rrit numrin e ankesave.
Të gjeturat e raportit i prezantoi, Agon Hysaj nga D+, i cili tha se periudhën janar 2020 – mars 2021, OSHP ka aprovuar pjesërisht 376 ankesa, për të cilat ka mbetur në fuqi vendimi i autoritetit kontraktues.
Nga këto 376 ankesa, ai tha se 104 janë aprovuar pjesërisht edhe pse të gjitha pretendimet ankimore kanë qenë të refuzuara, gjë që siç tha ai, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për mbi 246 mijë euro.
“Buxheti është dëmtuar për 246 mijë euro. Nuk duket ndoshta shumë e madhe, por kur merret parasysh krejt buxheti i OShP-së nuk është më shumë se 350-400 mijë, kjo nënkupton që OShP ka pas mundësi vetëm me konfiskim të tarifave, buxhetin e vet vjetor me e siguru, edhe pse nuk derdhen direkt në xhirollogarinë e tyre. Aprovimi i pjesërishëm e ka rritur numrin e ankesave, pasi kur operatorët ekonomikë e dinë që gjasat për me iu aprovu një ankesë janë shumë të mëdha, ata ankohen edhe kur e dinë që nuk kanë të drejtë”, tha ai.
Hysaj tha se pasi në OShP ankesat zakonisht janë për tenderë me vlera të mëdha, shumë investime kapitale të rëndësishme shtyhen për muaj si pasojë e ankesave. E këtë fat, ai tha se e patën edhe nxënësit e Prishtinës, të cilët janë dëmtuar nga pamundësia e komunës për të nënshkruar kontratën për pajisje të teknologjisë informative për mësim online.
Ai bëri të ditur se në këtë rast, komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për furnizim me pajisje të teknologjisë informative vetëm pas 501 ditësh, që nënkupton se është kryer viti shkollor pa i marrë nxënësit pajisjet.
Megjithatë, raporti nxjerrë edhe progresin që ka shënuar OShP.
Drejtori i Programit të Demokracia Plus, Albert Krasniqi, tha se gjatë monitorimit është vërejtur se ka pasur rritje të transparencës në këtë institucion.
“Përveç identifikimit të fushave të cilat ne kemi menduar se duhet të ketë progres, kemi vënë në pah edhe progresin, i cili është arritur në OSHP, e sidomos në fushën e transparencës. Kemi parë se ka rritje të transparencës, sidomos në aspektin e lansimit të web-faqes, të cilën OSHP e ka bërë në nëntor të vitit 2019, ku vendimet tani publikohen në mënyrë më të plotë. Në fund të raportit, kemi dhënë edhe rekomandimet, me të cilat ne synojmë të përmirësojmë vendimmarrjen e OSHP-së”, tha Krasniqi.
Drejtoresha e programit në USAID “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”, Afërdita Mekuli, tha se për 5 vjet kanë parë se Organi Shqyrtues i Prokurimit është dukshëm më transparent, por që siç tha ajo, mbetet ende punë për t’u bërë.
“E dimë që OShP ka mjaft punë për të bërë për të qenë më efektive dhe më efeciente, çka është me rëndësi për autoritet kontraktuese që kërkojnë me fillu realizimin e kontratave sa më shpejtë… Por, qe 5 vite të punës tonë si ‘USAID Team’ kemi parë një avancim mjaft të madh të OSHP-së, është dukshëm më transparente, dukshëm më e qasshme nga bizneset dhe nga shoqëria civile. Projekti jonë është duke shkuar drejt përfundimit 5 vjeçar, por sigurisht që USAID me kapacitetet e saj të tjera do të qëndrojë pranë OSHP-së”, tha ajo.
Me të gjeturat e Demokracia Plus u pajtua plotësisht kryesuesi i Sekretariatit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Ardian Behra.
“Shpresojmë që ky raport të jetë edhe një lloj planprogrami për anëtarët e bordit në mandatin që do të kenë. Nuk kam çfarë të shtoj as pikë as presje me këtë raport. Pajtohem në tërësi”, u shpreh ai.
Demokracia Plus rekomandoi që OShP të mos aprovojë pjesërisht ankesat vetëm për mos konfiskuar tarifën e ankesës pasi sipas tyre, OSHP do të duhej që të konfiskojë më shpesh tarifat.

Back to top button