Daçiq e konfirmon: Refuzova foton familjare për shkak të prezencës së flamurit të Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq konfirmoi se refuzoi foton familjare në Ministerial për shkak të prezencës së flamurit të Kosovës në sfond.
Gazetarja e Vizion Plus Enkelejda Mema pyeti në distancë kryediplomatin serb Ivica Daçiq se cila ishte arsyeja që ai refuzoi t’i bashkohej fotos familjare të Ministerialit. Ministri i Jashtëm serb e drejtoi kokën dhe shikimin nga flamuri i Kosovës. Në këtë moment, gazetarja Mema e pyeti sërish nëse shkak i refuzimit ishte pikërisht flamuri i Kosovës, dhe Daçiq e konfirmoi nga distanca: “PO”
Edhe pse ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani kërkoi që Daçiq t’i bashkohej fotos familjare të këtij samiti, ai gjeti kundërshtimin e homologut serb.
Hasani i qëndroi protokollit paraprak të samitit për realizimin e fotos me të gjithë pjesëmarrësit duke pasur në sfond flamujt e vendeve që janë pjesë e procesit të Berlinit.
Daçiq nuk fotografohet me homologët për shkak të Gërvallës
Ka nisur sot në Tiranë takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit me pritjen e delegacioneve.
Pas arritjes së ministrave është bërë një fotografi e përbashkët, e ku ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq nuk mori pjesë për shkak të kryediplomates së Kosovës Donika Gërvalla.
24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit janë pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Në të do të marrin pjesë: Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi, përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.
Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC dhe RYCO.
Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.