Daka për RTV21: Është pikëpyetje se sa janë demokratike dhe të vërteta zgjedhjet në veri

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se zgjedhjet në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës janë legale por ato nuk kanë legjitimitet meqë janë bojkotuar nga më shumë se 90 për qind e qytetarëve. Në një intervistë me RTV21, Daka tha se çështja e zgjedhjeve dhe e pjesëmarrjes së serbëve në institucione do të duhej të diskutohej në kuadër të dialogut sipas shembullit të vitit 2013.

RTV21: Zonja Daka, i gjithë procesi zgjedhor duket se po kalon me një pjesëmarrje shumë të ulët të votuesve. Me bojkot pothuaj të plotë të zgjedhjeve nga qytetarët serbë. Si i vlerësoni ju zgjedhjet në komunat në veri?

Daka: Po këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat organizohen nga Institucionet e Kosovës pra nga KQZ-ja dhe gjithsesi organizohen sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës. Këto zgjedhje kanë legalitet, pra janë legale si të tilla, por është pikëpyetje se sa janë demokratike dhe sa janë zgjedhje të vërteta. Sepse në një moment kur nuk marrin pjesë pothuajse 90 për qind e qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë, atëherë vihet në pikëpyetje se për kënd organizohen ato zgjedhje.

RTV21: A e përcakton pjesëmarrja legjitimitetin dhe legalitetin e zgjedhjeve?

Daka: Po Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji në tërësi nuk e përcakton ndonjë numër të saktë se sa duhet të dalin që ato zgjedhje të jenë legjitime.

RTV21: Pra, mund të ketë kryetar komune me, po themi, vetëm 100 vota në tërësi?

Daka: Është më shumë çështje e demokracisë, sepse në momentin kur 100 qytetarë e zgjedhin një kryetar, atëherë sa do të jetë ai kryetar, kryetar i vërtetë.

RTV21: Zonja Daka, a mendoni se këto zgjehdje mund të rivlerësohen në kuptimin që për të përfshirë serbët në veri në institucione të zhvillohet një raund i ri, i veçantë, i bisedimeve në dialogun e Brukselit

Daka: Po kjo është çështja e fundit e cila duhet të ndodhë që këto zgjedhje të jenë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Sepse ne mundemi me organizu zgjedhje por duhet të jenë të pranuara nga të tjerët. Pra si duket, qytetarët serb kanë vendosur që këtë herë të mos bëjnë incidente të mos shkaktojnë incidente, por thjeshtë t’i injorojnë zgjedhjet të cilat i organizojnë institucionet e Kosovës. Zgjidhja e fundit pra zgjidhja e vetme ndoshta, për momentin është siç është situata politike, është që këto çështje të diskutohen edhe njëherë sikurse është diskutuar edhe në vitin 2013 në Bruksel, kur edhe është arritur marrëveshja që qytetarët serbë të votojnë të bashkëngjiten në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që i organizon Kosova. Përndryshe, kjo për mu është pat pozicion sepse askush nuk del fitimtar.

RTV21: Pra edhe njëherë zonja Daka, ju po thoni se këto janë zgjedhje legale?

Daka: Janë legale, dmth ato janë organizu janë legale. Nuk ka shkelje, nuk ka procedura të gabuara, por gjithsesi nuk kanë legjitimet. Sepse 90 për qind e qytetarëve thjesht i injorojnë, nuk e pranojnë këtë rezultat, nuk e pranojnë kryetarin apo kryetaren e cila do të del nga këto zgjedhje. Pra, thjesht organizohen por pa ndonjë përfundim real./21Media

Back to top button