Kapet duke transportuar dru ilegalisht, arrestohet një 17-vjeçar

Policia e stacionit në Shtërpcë informoi se sot u arrestua një 17-vjeçar, i cili transportonte drunjë ilegalisht nga Parku Kombëtar “Malet e Sharrit”.

Lidhur me rastin, u konfiskua atomjeti për dokumentacion të parregullt dhe ndaj drejtuesit u shqiptua një gjobë për mosposedim të patentë shoferit dhe për mosregjistrim të automjetit.

“Policia e stacionit në Shtërpcë, veç aktiviteteve rutinë dhe atyre të planifikuara, bazuar në planin aktiv “Mbrojta e Pyjeve” pas disa informacioneve që ka siguruar, sot rreth orës 09:00 në fshatin Brod ka ndaluar një automjet xhip që po e drejtonte personi H.S (M/K) i moshës 17 vjeçar dhe i cili transportonte drunjë ilegalisht nga Parku Kombëtar Malet e Sharrit.”, informoi Policia.

Po ashtu, sipas Policisë, ndaj 17-vjeçarit u shqiptua fletëparaqitje për transport ilegal dhe drunjët më pas u konfiskuan.

“Policia fton qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth prerjes, transportit apo shitjes ilegale të drunjëve, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, bëri të ditur Policia.

Back to top button