Dalin në shitje biletat për miqësoren Shqipëri-Kili

Më 22 mars, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sërish në fushë për të luajtur një ndeshje miqësore ndaj Kilit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, duke nisur nga ora 20:45.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares se nga dita e sotme do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre për këtë sfidë.
FSHF nënvizon se për këtë ndeshje do të jenë të disponueshme në të gjitha pikat e autorizuara nga Ticketone dhe në faqen e internetit: sport.ticketone.it
Më poshtë gjeni procedurat që duhet ndjekur për të siguruar biletën:
Nevojitet të regjistroheni në ticketone.it në mënyrë që të blini biletën.
Nëse dëshironi të ndryshoni të dhënat e biletës suaj, mjafton të logoheni në llogarine tuaj të Ticketone dhe të modifikoni biletën duke klikuar në sport.ticketone.it/post-order. KUJDES! Ndryshimi lejohet deri në tre ditë para ndeshjes, më vonë nuk lejoheni të bëni ndryshime në biletë.
Ju mund të procedoni me pagesën përmes disa metodave: Pagesë me kartat VISA, MASTERCARD, MAESTRO si edhe PAYPAL.
Bileta është elektronike, por ju keni të drejtën edhe ta printoni. Vini re, nëse bileta nuk vjen brenda 5 minutash në postën tuaj elektronike (e-mail) lutemi të kontrolloni kartelën SPAM.