Dalin para gjykates të arrestuarit për vilat në Brezovicë

Sot do të dalin para gjykates të arrestuarit për vilat në Brezovicë. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Vjosa Baftiu Zyrtare për Informim në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.
Të dyshuarit u arrestuan në një operacion të nisur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, i cili u zbatua nga Policia e Kosovës nën koordinim e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve B.N.,D.R., D.M.,H.B.,S.M.,R.B., R.H.,B.I., S.S., dhe J.K, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Ndërkaq, në lidhje me këtë rast janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronarë të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./21Media

Back to top button