Propozohet që Kuvendi të draftojë Kodin e Etikës pas incidenti Musliu-Peci

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dënuar incidentin e djeshëm midis deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit.

Sipas KDI-së Kuvendi duhet të shërbejë si platformë e diskutimeve përmbajtjesore në mes të partive politike, dhe duhet hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike.

“Duke marrë parasysh përdorimin e shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare nga ana e deputetëve në Kuvend, KDI në vazhdimësi ka kërkuar që të fillojë procesi i draftimit të Kodit të Etikës, ku duhet të përfshihen sanksione disiplinore ndaj deputetëve që pengojnë mbarëvajtjen e punimeve dhe atyre që përdorin gjuhë apo sjellje joparlamentare”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.
Në një deklaratë për media, KDI-ja ka vlerësuar se mbledhja e djeshme e Komisionit Parlamentar u përcoll në frymë të acaruar e ishte vazhdimësi e debatit të ashpër që patën deputetja Musliu me ministrin Peci në seancën e fundit plenare.
“KDI dënon çfarëdo veprimi qoftë gjuhë apo sjellje joparlamentare të deputetëve, si formë e zgjidhjes së mospajtimeve politike. Ju rikujtojmë deputetëve, në këtë rast edhe ministrave se Kuvendi duhet të shërbej si platformë e diskutimeve përmbajtësore në mes të partive politike pavarësisht taborit të cilit i përkasin duke hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Dje Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu derisa ishin duke diskutuar në komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për çështjen e subvencioneve, i ka hedhur gotën me ujë ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
“Kjo tema e granteve unë e di që në adresa të caktuara ngjallë edhe nervozë, për shkak se njëri prej tyre je edhe ti Ganimete Musliut. Me gjuhën që përfaqëson edhe mënyrat që i prezanton temat, e përfaqëson krimin ndaq me e ditë. Ajo pjesa e krimit në Ministri të Bujqësisë ka një mbështetje politike, e këtu po del që ti je njëri prej zyrtarëve me prapavijë”, ka thënë ministri Peci, derisa deputetja Musliu e ofendoi me termin ‘rrugaç’.
Pas këtij incidenti, Musliu në një konferencë për media ka thënë se ministri Peci e ka akuzuar atë si pjesë të krimit të organizuar në Ministri të Bujqësisë dhe për këtë arsye ajo do të ngrejë padi ndaj tij./21Media 

Back to top button