Danimarka eliminon Çekinë
Ka përfunduar ndeshja mes Çekisë dhe Danimarkës, ku kjo e fundit ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të EURO 2020 pas fitores me rezultat 2:1.
Mesfushori i Dortmundit Thomas Delaney e zhbllokoi rezultatin, duke shënuar në minutën e pestë për t’i dhuruar epërsinë Danimarkës, ndërsa Kasper Dolberg dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të.
Çekia e nisi furishëm pjesën e dytë, ku arriti të gjejë golin përmes sulmuesit Patrick Schick në minutën e 49-të.
Goli i Schick ishte i pesti personal në këtë evropian, duke u barazuar me yllin Cristiano Ronaldo si golashënuesit më të mirë të deritanishëm në Euro 2020.
Me këtë fitore, Danimarka i bashkohet në gjysmëfinale Italisë dhe Spanjës, hera e parë kjo nga 1992.
Në gjysmëfinale, danezët përballen kundër fituesit të ndeshjes Ukrainë-Angli.