Darka e Lamës shtrohet në Shtëpinë e të Moshuarve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Darkën e Lamës, organizuar nga Presidentja, Vjosa Osmani Sadriu.
Kjo darkë, që tradicionalisht organizohet në përfundim të të korrurave, në fund të muajit tetor, sonte u shtrua në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, në shenjë mirënjohje e respekti për banorët e kësaj shtëpie.
“Duke e shtruar sofrën e bukës me ta, ne treguam solidaritetin tonë për gjithë ata breza, të cilët i mblodhën bereqetet e kësaj toke, duke e mbajtur gjallë jetën tonë të përbashkët. Ata meritojnë më shumë se çdonjëri që t’ua shprehim mirënjohjen tonë”, tha presidentja.
Në vitin 2002 presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova e pati shpallur festë shtetërore Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës./21Media