Kaloni te përmbajtja kryesore

Darka e punës e Kurtit me Kallas, ZKM jep detaje

Zyra e Kryeministrit ka dalë me komunikatë rreth darkës së punës që ka pasur mbrëmë kryeministri në detyrë, Albin Kurti me Kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ata kanë folur për situatën politike në vend, dialogun, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.

Referuar komunikatës së ZKM-së thuhet se Kurti e ka falënderuar Kallas për lajmin që dha dje se BE ka filluar gradualisht heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se ato duhet të hiqen plotësisht se Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.

Lidhur diskutimeve për krijimin e institucioneve, ZKM nuk ka dhënë detaje.

Për dialogun, Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

“Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, Kurti ka ngritur edhe çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës.

Ndërkaq Kallas është takuar dje edhe me lidërët e partive tjera. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button