Deklarata vs Programi me pika përjashtuese!

Disa pika të deklaratës nuk përputhen me programin qeveritar

Disa pika të Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare siç shihet nga dokumentet nuk përputhen dhe nuk janë pjesë e Programit qeveritar të mandatarit për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaev.

Në dy pikat e para të Deklaratës së partive shqiptare thuhet:

“Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.”

Por kjo çështje nuk figuron në Programin qeverisës, ku thuhet:

“Qeveria asnjëherë nuk do të lejojë tentativat për ndryshimin e identitetit nacional, gjuhësorë dhe kulturor të popullit maqedonas, si dhe të cilës do bashkësi etnike në R.M. Qeveria do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal dhe atë ndër fqinjësor”, thuhet në Programin qeverisës të LSDM-së: RM– Anëtare e NATO-s dhe BE-së, faqe 13 paragrafi 5, shkruan TV21.TV

Partitë politike shqiptare nënshkruese të Deklaratës, në pikën e tretë kërkojnë që gjuha shqipe dhe alfabeti i saj të jetë zyrtare sikur gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

“Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, Pika e tretë e Deklaratës së përbashkët të partive poltike shqiptare.

Por edhe kjo pikë komentohet ndryshe në paragrafin e dytë të kapitullit “Ndërtojmë një shoqëri për të gjithë” në programin qeveritarë të mandatarit Zaev.

“Do të përkrahim politikën gjuhësore në pajtim me nevojat dhe interesat e qytetarëve, bashkësive të ndryshme etnike dhe të tërë shtetit. Në këtë drejtim, qeveria do të propozojë zgjidhje ligjore për përdorimin e gjuhëve, me të vilat do të zgjerohet përdorimi i gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve, respektivisht gjuhës shqipe, në kuadër të përcaktuar e Amendamentin V të Kushtetutës së RM” Programi qeverisës i LSDM-së: RM– “Ndërtojmë një shoqëri për të gjithë”-së Faqe 18 paragrafi 2.

Në këtë paragraf thuhet se do të përkrahet zgjerimi i gjuhës shqipe, në kuadër të përcaktimeve të Amendamentit të V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, por ja çfarë thotë ky amendament që zëvendëson nenin e 7 të Kushtetutës së Maqedonisë:

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”.

Se disa nga pikat e Deklaratës së përbashkët po bien e poshtë, e tha mbrëmë edhe një nga nënshkruesit e saj.

“Pikat kryesore të asaj Deklarate janë të përfshira në programin qeveritarë po ka çështje në atë Deklaratë politike të cilat do të shtrohen për diskutim publik”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së (23.05.2017).

Ndërsa, kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela insiston në përmbushjen e plotë të pikave të Deklaratës së partive shqiptare.

“100 herë e kam thënë që unë nga Deklarata e shqiptarëve nuk heq dorë sepse është njësoj si të heq dorë nga ardhmëria e fëmijës tim. Patjetër se do të insistojmë”, tha Ziadin Sela – Kryetar i LR-PDSH-së.

Edhe Bilall Kasami nga Lëvizja “Besa” thotë se parim për pjesëmarrje në qeveri do të jetë implementimi i pikave të Deklaratës në programin qeverisës të LSDM-së.

“Një ndër parimet mbi të cilat do të nisin bisedimet e Lëvizja Besa për pjesëmarrje në qeveri, do të jetë implementimi edhe i pikave dhe kërkesave të dala nga deklarata e partive parlamentare shqiptare”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa në Emisionin Click Plus në TV21.

Mandatari Zoran Zaev në ditën që e mori mandatin nga Ivanov dha edhe garancitë që iu kërkuan:

“As një dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim I cili do të ishte në kundërshtim me qëndrimet e përmendura më sipër, nuk mund të jenë kusht e as bazë për formim ose funksionim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, tha Zoran Zaev – Kryetar i LSDM-së 17.05.2017.

Nga ana tjetër, Kjo deklaratë e përbashkët e partive shqiptare ishte në shënjestër të akuzave nga VMRO-DPMNE, se ajo është përpiluar dhe nënshkruar në Tiranë dhe që është në kundërshtim me interesat shtetërore të Maqedonisë./21Media

Back to top button