Deklarohen qytetarët e liruar: Policët na thoshin se arrestimi është politik

(Lajm përditësuar)


Deklarohen qytetarët e liruar : Policët na thoshin se arrestimi është politik

Katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare janë liruar.

Njëri nga ata pas lirimit tha se arrestimi i tyre ka ndodhur deri sa ata ishin duke shkuar në Gjermani.

Dervish Maliqi  tha se nga kufiri ishin marrë nga dy civilë dhe pastaj janë dërguar në Kurshumli.

“Përpos këtyre dy civilëve që na kanë marrë këtu jo mirë, tjerët policë si në Kurshumli si në Prokuple na kanë trajtuar shumë mirë për shkak se edhe çuditeshin për këtë rast, dhe secili polic thoshte kjo është vetëm politikë. Akuza ka qenë, janë disa baraka këtu 200 metra më poshtë, kinse ato janë dëmtuar dhe të dyshuar kemi qenë ne, ne dy dhe dy shoferë të tjerë të kamionëve. Ata çka munden me bë është 48 orë mbajtje si i dyshuar, më shumë nuk patën fakte. Sipas Policisë, nuk ka pas të bëjë me baraka, kjo është vetëm politikë, për shkak të tensioneve në veri”, deklaroi ai

Ndërsa Esat Musolli  shpjegoi si ka ndodhur ngjarja të martën.

“Ne kemi qenë duke shkuar për Gjermani dhe këtu në kufi te ne kaluam mirë, andej si kemi dalë na kanë ndaluar, na i morën dokumentet dhe mandej nuk kemi ditë asgjë veç kanë thonë parko xhipin andej dhe na kanë marrë na kanë shti në një xhip dhe na kanë çuar në Kurshumli. Aty kemi ndejt 2 orë, nuk kemi ditë asgjë njëherë, tani gjëja se e kemi bërë njëfarë dëmi këtu në vitin 2022 me 02.03, kemi bërë njëfarë dëmi këtu të kontejnerëve dhe për shkak të atyre jemi të akuzuar”, tha ai.

Pas kësaj, Maliqi u ka bërë thirrje mërgimtarëve që mos të shfrytëzojnë rrugën për Serbi për të shkuar në Europë.

“Asgjë nuk na kanë thënë 3 orë deri në stacionin policor në Kurshumli. Civilët na kanë dorëzuar në stacion policor. Janë liruar edhe dy të tjerët…Do të vazhdojmë (për në Europë) ndoshta por nga rruga Mali i Zi – Kroaci, nuk kisha preferua njëherë me kalu këtë rrugë edhe mërgimtarët, sepse u akuzojnë pa bazë, çka munden me bë janë këto maltretimet dy ditore…Familjarët i kemi lajmëruar tinza derisa na i kanë marrë telefonat”, tha ai.

 


Lirohen katër qytetarët e Kosovës të arrestuar në Merdare

Katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare janë liruar.

Kështu konfirmoi për portalin rtv21. tv kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ai tha se paraprakisht ka biseduar me familjarët e të arrestuarve të cilët i kanë konfirmuar se të njëjtit janë duke u kthyer në shtëpi

Derisa rastin në fjalë për REL e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Kurshumlisë./21Media

 

Back to top button