Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kontrabandimin e dy shtetasve të huaj

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avdurrahim Shehu është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për kontrabandim me migrantë.

“Plotësisht i pafajshëm”, tha i akuzuari Shehu pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti.

Më pas, gjykatësi i rastit Gazmend Bahtiri njoftoi të akuzuarin Shehu se ka të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avdurrahim Shehu për qëllime të përfitimeve financiare në mënyrë të kundërligjshme, më 2 shkurt 2022, rreth orës 13:21 me kamionin e tij transportues, ka kontrabanduar dy shtetas të huaj, të cilët kanë qenë shtetas algjerian nga Turqia.

Sipas aktakuzës, kontrabandimi u bë përmes pikës kufitare Hani i Elezit, ku shtetasit e huaj kanë qenë të fshehur në kamionin e të akuzuarit, në rimorkio në pjesën e mallit të tij dhe të njëjtit nuk kanë pasur dokumente të identifikimit. Ata janë sjellë në Kosovë duke iu shmangur të gjitha kontrollave në pikat kufitare dhe kanë arritur në terminalin doganor më 3 shkurt.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shehu pasi ka hyrë në terminal e ka parkuar kamionin aty dhe vetë është larguar nga vendi dhe pasi që është dëgjuar zëri i të dëmtuarve-shtetasve algjerian të cilët kanë qenë në kamion, zyrtarët e sigurimit të terminalit doganor e kanë njoftuar rastin në Polici dhe më pas kur kanë arritur zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes kanë verifikuar se gjenden në rimorkion e kamionit e cila ka qenë e mbyllur me bllombë dhe pasi e kanë hapur derën e rimorkios, nga aty kanë dalë ty shtetasit e huaj, ndërsa i pandehuri është ndaluar nga ana e Policisë.

Prandaj, me këto veprime Shehu akuzohet se kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Back to top button