Delegacioni i Kosovës niset drejt Shtëpisë së Bardhë
Delegacioni i Kosovës para pak çastesh është nisur drejt Shtëpisë së Bardhë, ku do të pritet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Kryeministri Avdullah Hoti do të nënshkruaj sot marrëveshjen në emër të Kosovës me Trump-in, ndërsa pas tij, të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe pala serbe, shkruan rtv21.tv
Hoti tha se nuk ka asnjë marrëveshje të keqe për Kosovën.
“Do të ketë vetëm marrëveshje të mira”, u shpreh shkurt Hoti para nisjes në Shtëpinë e Bardhë.
Poashtu duhet theksuar se përkundër mosmarrëveshjeve, edhe përfaqësuesi i AAK-së, Selim Selimi u nis së bashku me pjesën tjetër të delegacionit drejt shtëpisë më të njohur në Amerikë.
Kryetari i AAK-ës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje orë më parë kryeministrit kosovar që të mos nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, pasi sipas tij, aty përfshihet edhe Liqeni i Ujmanit.
Por Haradinaj më pas bëri të ditur se nuk ka hasur në mirëkuptim nga Hoti, andaj paralajmëroi largim nga bashkë partneri i tij.
“Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje. AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës“, ka shkruar Haradinaj në Facebook.